Nga mëngjesi i së dielës e deri më tani, numri i pacientëve të paraqitur në urgjencën e Krujës, me simptoma helmimi, ka shkuar në mbi 370, mes të cilëve 70 fëmijë. Aktualisht të shtruar në spitalin e Krujës ndodhen ende 30 pacientë, që po marin mjekimin. Dyshime janë se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa ende pritet të dalë përgjigjja e analizave të mostrave të ujit.

E pranishme në Spitalin e Krujës, për të parë nga afër gjendjen e pacientëve, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se fluksi i tyre në spital ditën e sotme ka patur një rënie. Pavarësisht dyshimit kryesor se shkak i helmimeve masive në Krujë është bërë uji i pijshëm, ku ujësjellësi u inaugurua vetëm pak muaj më parë, Ministrja shprehet se hetime epidemiologjike po kryhen në disa pista.

Nga ana tjetër, të pranishëm në spital ishin edhe përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Shëndetit, të cilët më pas shkuan në depon e ujit, për të bërë një analizim të parametrave të sigurisë dhe marrje mostrash, rezultatet për të cilat pritet të jepen në ditët në vijim.

Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta shprehet se situata është nën kontroll dhe se nuk ka patur raste pacientësh që të kenë shfaqur komplikacione të rënda.

“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur mbi 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll”, thotë ajo.

Pacientët e shtruar në spital shprehen se kanë patur dhimbje të forta barku e koke dhe të gjithë pohojnë se kanë pirë ujë nga ai që i vjen në çezma.

“Kam që mbrëmë në darkë që më kanë filluar shqetësimet, sot jam shtruar. Jam nga Kruja, filloi barku fillimisht dhe më pas koka. Kemi pirë ujë nga çezma”, tha një banor nga Kruja i shtruar me shenja helmimi.

“Dje pasdite kam pasur shqetësime, kemi pirë ujë, sot jam në spital”, tha një paciente e moshuar.

Një tjetër pacient pohon se ata kanë kaluar të njëjtën situatë edhe 3 muaj më parë, ku kanë patur simptoma helmimi, megjithatë nuk ka patur raportime për një gjë të tillë.

Dyshimet e para për helmimin e qytetarëve në Krujë lidhen me uji i pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit, që qytetarët e konsumojnë masivisht nga çezma, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet.

Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, e ndërkohë është ndërprerë furnizimi në të gjithë qytetin deri në daljen e përgjigjeve zyrtare. Policia ka njoftuar organet e shëndetit publik dhe të Autoritetet Kombëtar të Ushqimit, për të sqaruar situatën.