Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, është habitur nga komentet e bëra këtë javë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të cilat përfshinin pretendimin se ‘edhe Hitleri kishte gjak hebre’.
Në përgjigjen e tij të parë ndaj kësaj deklarate, Herzog e bëri të qartë se pret që Lavror t’i tërheqë fjalët e tij dhe të kërkojë falje.
“Në fillim, nuk mund ta besoja se ato ishin thënë nga një ministër i Jashtëm rus. Ata më bënë të zemëruar dhe të neveritur. Gjatë një jave kur kujtojmë Holokaustin, të të gjitha javëve, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, zgjedh të përhapë gënjeshtra, gënjeshtra të tmerrshme, me erë antisemitizmi. Pres që ai t’i tërheqë fjalët e tij dhe të kërkojë falje”, deklaroi Herzog.
“Është e nevojshme dhe e duhur që ai t’i korrigjojë ato vërejtje”, shtoi Herzog, duke vënë në dukje kontributin vendimtar të Ushtrisë së Kuqe në mposhtjen e nazistëve.
Qeveria izraelite e ka kritikuar Lavrov-in, duke thënë se pretendimi i tij – i bërë kur flitej për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është hebre – ishte një gënjeshtër “e pafalshme” që poshtëroi tmerret e Holokaustit nazist.
Lavrov këtë deklaratë e ka bërë të dielën, kur u pyet se pse Rusia tha se duhej të “denazifikonte” Ukrainën nëse vetë presidenti i vendit, Volodymyr Zelenskyy, ishte vetë hebre.
Izraeli, nga ana tjetër, ka shprehur mbështetje për Ukrainën pas pushtimit rus në shkurt.
Por, i kujdesshëm për dëmtimin e marrëdhënieve me Rusinë, një ndërmjetës fuqie në Sirinë fqinje, ai fillimisht shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Moskës dhe nuk ka zbatuar sanksione formale ndaj oligarkëve rusë.
Megjithatë, lidhjet janë tensionuar më shumë, me Qeverinë izraelite, që muajin e kaluar akuzoi Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.