Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau dje nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. I riu qëlloi veten me pistoletë në fyt, në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.

Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve.

Si ndodhi vrasja e nënkomisarit

4 policët, mes tyre edhe Saimir Hoxha, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge.  Rrugës nëpër kënetë, përballë u shfaqet makina ku ishte 21 vjeçari i cili qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ishull Lezhë, bashkë me 3 shokët e tij. Efektivët e policisë ua kanë bërë me dorë që të ndalojnë makinën, por ata s’e kanë bërë një gjë të tillë. Kur nënkomisari Hoxha dhe bashkë me efektivët e tjerë i kanë bërë postbllok makinës, Aldi Rama shtiu me armë drejt tyre. Plumbi zuri nënkomisarin Hoxha kurse efektivët e tjerë ranë në kanal. Aldi Rama ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të pyllit, kurse policia mundi të arrestojë dy personat që ishin në makinë me Aldi Ramën në momentin e ngjarjes, Kristian Sherrin dhe Armando Markun. Ndërkohë raportohet se në makinë ka qenë dhe një person i katërt, i cili është ende në arrati.