Familjarët e 3-vjeçarit, që humbi jetën në një kopsht privat në Fier, janë mbledhur para Prokurorisë, të hënën e 10 janarit.
Ata kërkojnë drejtësi dhe të zbardhet ngjarja sa më parë.
Në një deklaratë për mediat, daja i fëmijës ka hedhur dyshime se fëmija nuk mund të jetë mbytur në atë lartësi, ashtu sikurse ka dhënë versionin zyrtar grupi hetimor.
“Jemi drejtuar para Prokurorisë së Fierit për një hall që mos i ndodhtë askujt, asnjë prindi. Kemi çuar fëmijën në çerdhe, si të gjithë fëmijët e tjerë, dhe na vjen lajmi që na ishte mbytur. Dua që ju mediat të shkoni, ta kontrolloni në një vend 60 pont lartësia, kur ne fëmijët e kemi mbi 80 pont”.
Edhe nëna e 3-vjeçarit tha se fëmija nuk mund të mbytej në atë formë. Ajo shprehet se presidenti i kopshtit i ka gënjyer për kamerat.
“Presidenti i kopshtit ka ardhur te shtëpia dhe më ka kërkuar dhe më ka thënë që do ta nxjerr unë të vërtetën. Ka thënë që ka kamera kopshti në çdo cep. Kur vajtëm dje na tha ka vetëm gjashtë kamera. Vendi ku thotë ai që është vrarë çuni nuk ka mundësi në botë. Ato kapëse që thotë ai të mbesin në dorë. Si të jetë e mundur të vritet një fëmijë 15 kilogramë te ato kapëse. Kopshti sot është i hapur”, shprehet ajo.
Dy dite me pare Policia e Shtetit ka njoftuar se eshte arrestuar edukatorja e cerdhes.
Shtetasja R.B., 27 vjeçe, banuese në Fier, u arrestua mëngjesin e 8 janarit, pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikëqyrjen e kësaj shtetaseje.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 7 janarit në Fier, ku 3-vjeçari u dërgua pa shenja jete në spital.
Familjarët e tij kanë pretenduar se në trup ka pasur të nxira.
Nga ana tjetër, sipas policisë, dyshohet se fëmija është mbytur në momentin kur është zgjatur për të marrë një veshje te varësja e rrobave.
Në këtë moment, atij i ka ngecur kapuçi i xhupit dhe është rrëzuar, duke u mbytur prej vetë xhupit.