A2 CNN ka zbardhur detaje të reja në lidhje me autorin e dyshuar të atentatit me dy viktima dhe dy të plagosur në qytetin e Shkodrës. Në një vendim të gjykatës së Shkodrës rezulton se Ragip Gila ka qenë i dënuar me 5 vjet burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve, por i është ulur në 3 vjet e 4 muaj burg dhe më 4 mars të këtij viti gjykata e Shkodrës  ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg duke e liruar me kusht, që për 5 vite të mos bëjë asnjë vepër penale dhe me shërbim prove.

I dënuar me 5 vjet burg, si gjykata e Shkodrës liroi në mars

Ngjarja e rëndë që tronditi sot mbarë opinionin, ndodhi mëngjesin e sotëm në Shkodër, kur autori i dyshuar pasi ka ndjekur viktimat brenda lokalit, ka qëlluar ndaj tyre. Ai ka dalë jashtë nga një derë dytësore dhe ka ecur në këmbë me armë në dorë për afro 300 metra nga lokali në pjesën e rrugës Don Bosko deri në Perash.

Aty ka grabitur një automjet duke i vënë armën në kokë drejtuesit të makinës. Me makinën e grabitur dhe skafandë në kokë brenda automjetit, ka tentuar që të largohet derisa ka bërë një aksident në zonën e Sarreqit dhe më pas policia i është vënë në ndjekie duke e arrestuar poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir.

Për momentin mbeten ende të paqarta rrethanat e kësaj ngjarje që përveç viktimave ka rrezikuar jetën edhe të shumë personave të tjerë që ndodheshin në lokal. Gjithashtu ende nuk dihet se kush nga tre personat që ishin bashke mund të ketë qenë shënjestra e vërtetë e këtij atentati.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *