SPAK çon për gjykim Kristo Agalliun që u filmua teksa fliste për shitblerje votash në zgjedhjet e 14 Majit. 52 vjeçari ishte koordinator i Partisë së Lirisë në Kuçovë që premtonte se do të sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës. Në lidhje me këtë ngjarje është hetuar në gjendje të lirë edhe shtetasi Agron Duro.
Nga hetimet, ka rezultuar se në datën 09 Maj 2023, Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.
Njoftimi i SPAK:
Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:
1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.