Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi në një intervistë për Top Channel se me përzgjedhjen e 15 kandidatëve për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, tashmë ngritja e këtij institucioni varet nga organet e vetting-ut.

I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha e TCH, nëse SPAK mund të ngrihet në muajin shtator ose tetor, Ibrahimi tha: “Në këtë moment nuk është në dorën tonë caktimi i një kalendari, është në dorën e institucioneve të vetting-ut. E mira është të përkojë me kalendarin e integrimit që kërkon që deri në mes të tetorit t’i kemi institucionet e ngritura.”

Ibrahimi nuk preferoi të jepte një ‘numër të arsyeshëm’ sa i përket prokurorëve që duhet të bëhen pjesë e SPAK që kjo strukturë të konsiderohet funksionale.

“Kjo është çështje që nuk do doja të shprehem sepse i takon Këshillit të shprehet se cili është numri. Normalisht, një numër që e lejon përballimin e fluksit”, tha kreu i KLP-së.

Gent Ibrahimi sqaroi se 15 prokurorët e përzgjedhur nga KLP duhet të kalojnë dy shkallët e vetting-ut dhe më pas të bëhen pjesë e SPAK. Ai la të hapur mundësinë që ndonjë prej kandidatëve të mos e kalonte procesin e rivlerësimit.

“Ne përfunduam listën e kandidatëve për SPAK dhe tani jemi të gatshëm t’i emërojmë ata sapo ata t’i kenë kaluar dy shkallët e vetting-ut. Të shohim si do të ecin kandidatët të renditur nga ne në listën fituese. Kur një numër i arsyeshëm të ketë kaluar të dyja shkallët, ne mblidhemi dhe shpallim të ngritur SPAK. Vlerësimi ynë kishte të bënte me aspektin profesional të prokurorëve, integritetin e vlerëson vetting-u. Hipoteza që dikush mund të mos e kalojë vetting-un është e mundshme”, tha ai.

VERITAS.COM.AL/