(FOTO: Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi)/

Nga Besar Likmeta/ BIRN

Marrëveshja e nënshkruar mes LSI dhe McKeon Group, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, tregon se Meta dhe LSI do t’i paguajnë 15 mijë USD në muaj kompanisë amerikane për një periudhë 6 mujore.

Përveç tarifës mujore, LSI do të jetë përgjegjëse për të paguar dhe shpenzimet që do të ketë firma gjatë angazhimit në emër të klientit.

Qëllimi i specifikuar i kontratës së lobimit është sigurimi i ftesës për liderët e LSI-së në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së,  Donald Trump më 20 janar 2017 dhe sigurimi i takimeve me liderë politikë gjatë vizitës për inaugurimin e presidentit.

Pas 20 janarit, sipas kontratës kompania amerikane pritet të punojë për krijimin e një “marrëdhënieje të mirë dhe speciale” midis LSI-së dhe administratës së re të Donald Trump dhe Kongresit.

McKeon Group është një kompani lobimi me qendër në Uashingtn D.C, e udhëhequr nga ish kongresmeni i Partisë Republikane Howard P. “Buck” McKeon.

Angazhimi i McKeon Group nuk përbën herën e parë që Lëvizja Socialiste për Integrim punëson një kompani lobimi në Uashington.

Gjatë vitit 2016, LSI ka angazhuar në Ushington kompaninë e lobimit Global Security and Innovative Strategies, GSIS, duke siguruar takime të nivelit të lartë me zyrtarë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, tregojnë që vetëm gjatë 6 mujorit të parë të 2016-ës, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpenzuar 123, 761 USD në favor GSIS.

Pagesat e majme për lobuesin amerikan kanë bërë që zëri i llogaritur për konsulenca dhe sondazhe në projektbuxhetin e vitit 2016 të Lëvizjes Socialiste për Integrim të trefishohet, nga 5 milionë lekë në 15 milionë lekë, duke zënë 26.1 % të shpenzimeve të deklaruara të partisë.

/Veritas.com.al/