Presidenti Ilir Meta mendon se gazetarët në Shqipëri janë nën një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik. Si zgjidhje kreu shtetit propozon, ngritjen e një media te re.

 “Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me bli e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!”- u shpreh Meta.

Presidenti e avancon më tej me këtë ide, kur thotë se çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!

“Dhe Bordi Drejtues do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.”

Ideja e presidentit për median e kohës së re vjen disa javë pasi SPAPK, vuri nën sekuestro televizionet e Ylli Ndroqit si dhe publikimit të disa SMS-ve ku përmendjen emri i ish-drejtores së informacionit të Ora TV, Beti Njuma. Postimin me planin për ngritjen e një media presidenti e shoqëron me një reagim të Këshillit të Medias ku i kërkohet kryebashkiakut, Erion Veliaj t’i kërkojë ndjesë zonjës Beti Njuma. Ndërkohë që ka reaguar kryebashkiaku duke thënë:

“Lajm i mirë që Ilir Meta ka marrë iniciativën për një media të re transparente dhe kritike me pushtetin. Ai ka jo vetëm lekët por dhe historinë e tij të 7 përqindshit, që mund ta mbajë gjallë këtë medie si me para ashtu dhe me përmbajtje gjithë jetën! Suksese!”.

VERITAS.COM.AL/