Nga: Laert Skiro/

Sot në Elbasan, një person me makinë ka hyrë në turmën e njerëzve që po shëtisnin në bulevardin e qytetit “Aqif Pasha”. Nuk mund ta dinte sa shumë njerëz do të kosiste, dhe as i interesonte…, por në fund një kalimtar kishte dhënë jetën nën gomat e makinës dhe disa të plagosur. Policia njoftoi emrin e agresorit, një 35 vjeçar; automjetin tip “Range Rover” me targa AA 404 PD. Viktima është Ardian Rika, 35 vjeç, banues në Elbasan i cili nuk ka mundur tu shpëtojë plagëve. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme- njofton Policia.

A nuk iu duket se kohët e fundit janë përsëritur lajme mbi vrasje me metodën e “luftës me makinë”? Njeriu i Elbasanit duket se nuk është gjë tjetër veçse një imitim i “krimit me makinë” kundër njerëzve.

Para pak ditësh, një tip si ky (ose ky tip si ai) hyri në rrugën e këmbësorëve mbi Urën e Westminster të Londrës dhe vrau katër persona. Një grua, e ndodhur para “përbindëshit” u hodh nga ura në lumin Tamiz. Londrën e mbuloi frika nga terrori.

Makina që ka krijuar njeriu dhe e përkëdhel si “fat” të njeriut, kthehet në një vrastare të tmerrshme. Makina që sot në Elbasan vrau një njeri dhe terrorizoi qindra, Range Rover, konsiderohet “krenari” e industrisë Britanike. Për shkak të njeriut “të prishur”, krenaria kthehet në rrezik për kombin- këtë po dëshmojnë provat e krimit me makinë.

Vetë terroristi i Westminster kishte imituar një barbar tjetër,që në Krishtlindje hyri në Supermarketin e festës me kamion dhe vrau 12 gjermanë në Berlin. U desh shumë- shumë kohë për të përcaktuar fajtorin; që sot e kësaj dite është ende jo krejtësisht e qartë. Por ndërsa fajtori i drejtpërdrejtë është shumë i thjesht dhe shumë i vogël, shkaku i vërtetë dhe i gjerë qëndron diku në mendjen e njeriut. Në mendjen e njeriut qëndron imitimi.

Vrasësi i Krishtlindjeve në Berlin kishte në mendje një vrasës tjetër të llahtarshëm të verës në Nice të Francës . Vrasësi 31-vjeçar një tunizian që ka jetuar në Francë, quhet  Mohamed Lahouaiej Bouhlel. Ai vrau 86 persona në rrugët e Nices, mes te cilëve 10 fëmijë. Një botë e tërë u trondit.

Bota që ndodhet para të papriturës fatale, ndodhet edhe para imitimit njerëzor që kthehet në fatal. Imitimi i vrasjes, i krimit, i vesit dhe i terrorit- këto e kanë shqetësuar botën për një kohë të gjatë.

Në plot raste, imitimi fatal ka bërë më shumë dëm se sa numri i të vrarëve. Imitimi që ka rezultuar fatal, ka afektuar shoqërinë, studiues, zyrtarë dhe mjekë. Këta janë vënë para dilemave: Çfarë të bëjmë? Të ndalojmë imitimin?

Po si ka mundësi të bëhet kjo? Si mund të ndalohen makinat? Si mund të ndalohen thikat? Si mund të ndalohen filmat, interneti apo informacioni tjetër?

Totalitarizmi e ka gjetur veten te “ndalimi”; por individi i lirë nuk mund të jetojë mes të ndaluarave përjetë.

Atëherë shoqëria ka zgjedhur të protektohet; edhe nga imitimi fatal.

/Veritas.com.al/