Nga Universiteti i Korçës, ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Raytchevski i pyetur nga gazetarët nëse Bullgaria do të mbështesë integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ishte i qartë për përkrahjen që do t’i japë vendit tonë, teksa për Maqedoninë e Veriut tregoi deri ku kanë arritur bisedimet.
“Kjo është një pyetje interesante. Nuk di pse më pyesni në këtë mënyrë. Presidenti Meta sapo mbylli vizitë zyrtare në Sofje, ku presidenti bullgar nënvizoi përkrahjen pa kushte të Bullgarisë për integrimin e Republikës së Shqipërisë, por me Maqedoninë e Veriut jemi në një periudhë të bisedimeve shumë intensive. Qeveria e re bullgare krijoi 10 grupe pune të cilët punojnë për interesin e përbashkët dhe ku shumë shpejt mund të arrihen rezultate të mira. Por këtu bëhet fjalë për gjetjen e vendimeve dhe zgjidhjeve të cilat do të funksionojnë në të ardhmen. Edhe Bullgaria bashkëpunon fort mbi këtë temë edhe me partnerët. Po Bullgaria ka qenë dhe do të mbetet një nga mbështetësit më aktivë të zgjerimit të BE”, tha Raytchevski.
Për sa i përket mundësisë së ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për negociatat, ambasadori bullgar nuk preferoi të jepte një opinion të tijin. “Çfarë do të kërkojë Republika e Shqipërisë kjo është vendim i saj, unë nuk mund të komentoj këtë gjë”, tha ai. “Sa i përket kushteve, përsëri them se Shqipëria ka bërë punën e vet dhe ekzistojnë të gjitha kushtet për të vazhduar procesin e negociatave”.
Para mediave ai dha vlerësimin maksimal sa i përket punës që BE ka bërë për Ballkanin Perëndimor. “Unë mendoj se BE tashmë bën shumë, tema është shumë e gjerë, mendoj se me më shumë rëndësi është përqendrimi i të gjithë përpjekjeve në përfundimin e luftës”.
Ambasadori i Bullgarisë në Tiranë, Momtchil Raytchevski ishte në një takim në Universitetin “Fan S. Noli” ku u zhvillua një vizitë me një delegacion të përbërë nga drejtues dhe pedagogë të universiteteve bullgare.