Ashtu sikurse e kishte paralajmëruar, ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka paditur për shpifje deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhin.

Është hedhur shorti në gjykatë dhe Flojera Davidhi është caktuar për të shqyrtuar padinë e ish-drejtorit të Shkodrës.
Objekti i padisë është ‘fyerja botërisht, në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë’.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, nga foltorja e Kuvendit dy muaj më parë nxori disa përgjime nga platforma SKY ECC duke ngritur akuza të forta. Sipas Bardhit komunikimet në fjalë “treguan se kush e ka zgjedhur kreun e Policisë së Shkodrës”, duke akuzuar se kreu i policisë së Shkodrës ishte zgjedhur nga bandat.
“Si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush të ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm”, tha Bardhi.
Kësaj deklarate, Edmond Sulaj iu përgjigj duke e cilësuar shpifje që synonin të cenonin figurën e tij.
“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.“-ishte reagimi i tij.