Gjykatësi në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të japë informacione të detajuara, lidhur me aftësitë e saj për të garantuar sigurinë e mjaftueshme në rast të lirimit me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim, në Hagë.
Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi kanë kërkuar që klientët e tyre të mbrohen në liri, duke kërkuar “garanci” nga Policia e Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në këtë mënyrë: URDHËRON Policinë e Kosovës, në lidhje me ndonjë departament tjetër dhe/ose autoritetet në Kosovë nëse është e nevojshme, të sigurojë informacionin e detajuar në Shtojcën e këtij urdhri brenda dy javësh nga njoftimi”, thuhet në vendimin e marrë nga Specialja, shkruajnë mediet në Kosovë.
Kujtojmë se ish presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë, pasi akuzohen për krime lufte.