Izraeli raporton se ushtria e tij ka vrarë një tjetër eksponent të lartë të organizatës së Hamasit në Gaza.

Në reagimin e fundit ushtria bën me dije se ministri i Ekonomisë së Hamasit, Abdel-Zarii mbeti i vrarë në një sulm ajror në Gaza, gjatë së dielës.

Abdel-Zarii është një zyrtar i lartë që kishte një pozicion kyç në menaxhimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, por edhe në survejimin e tregjeve të kontrolluara nga militantët islamik.

Gjithashtu, ai ishte përgjegjës për shpërndarjen e karburantit, gazit dhe fondeve për operacionet terroriste kundër Izraelite.

Sipas IDF, selia qendrore e prodhimit të armëve në Gaza po punonte prej kohësh për forcimin e kapaciteteve ushtarake, duke shkëmbyer informacion dhe me organizatat e tjera terroriste në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, lideri i Hamasit, Ismail Hanyeh humbi jetën në Iran në një sulm që dyshohet se u planifikua nga Izraeli, teksa më herët në Liban ishte vrarë dhe një komandant i lartë i Hezbollahut.