Izraeli filloi një sulm të kufizuar tokësor të hënën kundër Hezbollahut, duke shpallur tre nga komunitetet e tij veriore si një “zonë të mbyllur ushtarake”, gjë që duket se sinjalizon se më shumë forca mund të dërgohen së shpejti në Liban për të luftuar militantët e mbështetur nga Irani.

Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se objektivat e saj ndodheshin në fshatrat afër kufirit që përbënin një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite në Izraelin verior. Në deklaratën e ushtrisë izraelite gjithashtu thuhet se forcat ajrore dhe artileria po mbështesnin forcat tokësore me sulme të sakta.

Banorët në qytetin kufitar libanez të Aita al-Shabit njoftuan për sulme me artileri të rëndë dhe zhurmë helikopterësh dhe dronësh.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Izraeli informoi Shtetet e Bashkuara për sulmet. Ai tha se ato konsiderohen si “operacione të kufizuara, të përqëndruara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”.

Nuk pati njoftime për përleshje të drejtpërdrejta midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut në territorin libanez. Hera e fundit që Izraeli u angazhua në operacione tokësore kundër militantëve të Hezbollahut brenda Libanit ishte një luftë një mujore në 2006.

Ndërkohë, udhëheqësi në detyrë i Hezbollahut, Naim Kassem është zotuar të vazhdojë luftën kundër Izraelit, pavarësisht vrasjes së komandantëve të lartë të grupit libanez. Ai tha se luftëtarët e Hezbollahut janë të gatshëm të luftojnë dhe mbrojnë Libanin kundër një ofensive të mundshme tokësore nga Izraeli. VOA

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *