
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kritikoi Izraelin për luftën në Gaza, duke thënë se ka tejkaluar limitet.
Në një fjalim drejtuar asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Meloni tha se Izraeli duhet të dalë nga kurthi I kësaj lufte.
“Izraeli e ka tejkaluar kufirin e parimit të proporcionalitetit, duke thyer normat humanitare dhe duke shkaktuar një masakër midis civilëve. Izraelit duhet të dalë nga kurthi i kësaj lufte. Duhet ta bëjë këtë për historinë e popullit hebre, për demokracinë e tij, për të pafajshmit, për vlerat universale të botës së lirë, pjesë e së cilës është”.
Kryeministrja italiane gjithashtu foli për njohjen e një shteti palestinez, hap të cilin Italia do e ndërmarrë vetëm nëse Hamasi largohet nga çdo rol qeverisës në enklavë. Ajo tha se grupi palestinez është përgjegjës për fillimin e luftës, me sulmin e tij ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe nuk duhet të shpërblehet për terrorizmin.
Meloni u ndal edhe te lufta në Ukrainë dhe akuzoi Rusinë se ka shkelur qëllimisht Nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke shkelur pavarësinë dhe integritetin territorial të një shteti sovran, me qëllimin për të aneksuar territoret e tij.
Ajo shtoi se Moska deri më sot nuk duket e gatshme të marrë seriozisht asnjë thirrje për t’u ulur në tryezën e negociatave për paqe dhe se kjo plagë e thellë e shkaktuar në të drejtën ndërkombëtare ka krijuar pasoja destabilizuese që shkojnë përtej kufijve të kësaj lufte.
Komente