Nga: Dritan Kaba/

Këto ditë në median e shkruar, portale, emisione kryesore të televizioneve ka zënë vendin e parë diskutimi rreth sensibilizimit që po bëhet në ambientet e shkollave të mesme në kryeqytet, çështjes së LGBT. Janë harxhuar mijëra fjalë, minuta televizive pa fund, gjithashtu edhe mijëra euro sponsorizime për ta kthyer ne kauzë madhore , çështjen e disa individëve dhe grupeve qe i investojnë, më shumë se edhe për shoqatat e fëmijëve autikë apo ilaçet e fëmijëve me leuçemi.

Duke ndjekur median dhe debatet, besoj se kjo duhet të jetë kauza primare e Shqipërisë sonë. Kështu që e mbështes edhe unë këtë kauzë madhore. Jam pro sensibilizimit për LGBT. Besoj se kjo është një detyrë sa patriotike aq edhe qytetare.

Ndërkohë, në vendin tim edhe tonin, të të gjithëve së bashku ka edhe disa probleme shumë më minore se kauza e LGBT.

Nga 1 prilli rriten taksat e shtëpive dy deri në katër herë, do e kemi të gjithë së bashku tek fatura e OSSHE, si për të na thënë që kur vjen ajo faturë vetëm çmime të rritura mund të kesh, dhe qytetarët rrijnë e presin kur t’ju vijë vlera, për të marrë vesh edhe sa lekë do heqin nga ato të bukës dhe rrobave të fëmijëve për të paguar kështu mizerjen e tyre. Rëndësi ka si ja bëjnë këta të LGBT.

Më 1 prill hyn edhe ulja e tavanit për bizneset e vogla në dy milion lekë, por aspak kjo nuk bën shqetësim, se mediat dhe Qeveria është e shqetësuar për ligjin e strehimit social për këto shtresa, por bizneset le të falimentojnë. Ata e kanë gjetur zgjidhjen. Shesin çfarë kanë edhe ikin nga sytë këmbët si ata 400 mijët para tyre.

Shitet drogë nëpër oborret e shkollave, prindërit vetëm pyesin, a erdhi në shtëpi fëmija? Si shkoi konsultimi për të drejtat e LGBT, po të tjerat durojnë, vetëm kjo gjë nuk pret.

I venë taksë rrugës që e kemi paguar tre herë,me një vlerë mbi katër herë se ajo që është dhënë nga firma konsulente. Por halli i vërtet është, a kalojnë nga kjo rrugë ata të LGBT?

Shkojnë të marrin mjekim në spitalet “falas” dhe nuk gjejnë ilaçe, bërtasin nëpër korridoret e spitalit dhe zihen me infermierët dhe doktorët që ju shërbejnë, por halli është gjetiu, a kanë trajtim për transplant organesh dhe a marrin prezervativë këta të LGBT?

Nafta më e shtrenjta në rajon, por zihen me pompierin e distributorit. Kanë shumë të drejtë, se si ja bëjnë vallë këta të komunitetit, se ata vetë e kanë gjetur zgjidhjen.

Përmbyten tokat, shtëpitë, pronat, prodhimet, rrinë dhe vështrojnë edhe kur shkojnë ministrat dhe i tallin, por problemi është a janë përmbytur këta të LGBT në zyrat e tyre? Nuk kanë hallin e dëmshpërblimit pavarësisht se e meritojnë, se shteti i mbyti. Por kjo pret se u mësuan.

Dalin në protestë naftëtarët për rrogat e pa marra, minatorët për statusin e tyre aq të merituar, por askush nuk bëzan. Televizionet kanë më shumë halle. Një dikush më tha, po të kishin mes tyre ndonjë anëtar të LGBT do shihnit se si do reagonin. Edhe vetë Vlahutin do ishte rreshtuar me ata në protestë.

Dalin artistët në mbrojtje të teatrit, të veprës dhe sakrificave të jetës së tyre, por qytetarët i ndjekin nga larg, ashtu sikur i kanë ndjekur në skenë, ku i kanë bërë edhe të qeshin edhe të qajnë. Ndërsa qytetarët vetëm qeshin me aktorët, ata qajnë vetëm për të drejtat e LGBT.

Televizionet e kanë bërë punën e tyre, çështja e LGBT është primarja dhe unë i mbështes fort. Mezi po pres 17 Majin, besoj se do jenë me mijëra që do dalin me ngjyra-ngjyra, në mbrojte të LGBT. Ai PO do jetë manifestim i madh. Por të tjerat presin. Shqiptarët janë mësuar me to.

Veritas.com.al/