Në kuadrin e “Javës së Europës” që organizon në Shqipëri Delegacioni i Bashkimit Europian, nga dt 6 deri më 10 maj, Ambasada e Greqisë në Tirane bashkë-organizon me përfaqësinë e BE, një aktivitet me temë “ Shanse arsimimi për fëmijët që nuk dëgjojnë në Shqipëri” , i cili do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve më 7 maj, nga ora 15.00 – 16.00.
Do të përshëndesë Ambasadori i Bashkimit Europian z. Luigi Soreca, ndërsa Ambasadorja e Greqisë zonja Eleni Sourani do të mbajë fjalën e hapjes së aktivitetit. Në aktivitet, Shoqata Kombëtare e Personave që nuk dëgjojnë të Shqipërisë, ANAD, do të prezantojë rezultatet e studimit “Persona që nuk dëgjojnë në Shqipëri”, dhe do të ketë diskutime, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.
Me mbështetjen e Ambasadës së Greqisë, në aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të Federatës së Personave që nuk Dëgjojnë në Greqi , (OMKE), dhe do të paraqesin disa nga praktikat më të mira që zbatohen në Greqi , por do të bëjnë edhe propozime për bashkëpunim midis shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, me qëllim përmirësimin e shkollimit ne vend, të fëmijëve që nuk dëgjojnë.
Aktiviteti do të shoqërohet nga një ekspozitë me vepra të fëmijëve të Shkollës së Tiranës për Fëmijët që nuk Dëgjojnë, që u realizua nën kujdesin e piktorit Kosta Zhonga.
Veritas.com.al/