Këtë fundjavë çmimi i naftës në pikat me pakicë është rritur me mbi 5 deri në 6 lekë për litër. Aktualisht në stacionet e karburanteve në kryeqytet një litër naftë shitet minimalisht 173 lekë nga 167 lekë që ishte vetëm pak ditë më parë.

Rritja e fundit, sipas tregtarëve ka dy arsye. Së pari shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtar, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me taksat e qeverisë. Ditët e fundit Ministra e Energjisë ka lajmëruar se do të rikthejë taksën e riliçencimit për stacionet e karburanteve.

Kjo taksë vitin e kaluar u propozua në masën 5 milionë lekë për çdo karburant, por pasi u ankimua nga tregtarët e naftës u rrëzua si e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese.  Qeveria ka lajmëruar se taksa do të rikthehet sërish. Këtë herë ministria e energjisë ka propozuar që ajo të jetë 3 milionë lekë për çdo stacion karburanti, çka duket se po jep efekt të menjëhershëm në treg.

Kjo është hera e katërt që tregu përballet me një tjetër valë shtrenjtimi të naftës, që nga janari 2016 kur çmimi i naftës zbriti në rreth 160 lekë për litër. Rritja e naftës në bursa mbi 50 USD/fuçi është reflektuar dhe dy herë të tjera përgjatë vitit të kaluar dhe një herë tjetër në janar të këtij viti.

Shqipëria ka karburantin më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në Europë. Tregtarët akuzojnë qeverinë si shkakun e çmimeve të larta. Sipas tyre, taksat e qeverisë janë shumë më të larta nga vendet e tjera dhe zënë 67-70% të kostos.

Krahas naftës, tregu vendas është përballur dhe me një rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit, të cilat krahasuar me fundin e vitit të kaluar janë rritur me mbi 20 lekë për litër.

/Veritas.com.al/