Nga: Laert Skiro/ Koment/

Deri më sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vetëm në gjysmën e dytë të vitit i ka shkaktuar vendit disa dëme shumë të mëdha:

Duke shkelur Kushtetutën  nxori një dekret nul ku anulonte zgjedhjet e 30 qershorit. Pas kësaj, krijoji një tjetër dekret, edhe ky nul, ku caktoi- sipas tij- një ditë tjetër zgjedhjesh. Dita e caktuar prej tij nuk u mor seriozisht nga askush, as nga Partia e tij. Por për Metën nuk ka rëndësi pse është jo- serioz. As pse bën dekrete ‘nul’. Metës i duhet nuliteti dhe mungesa e seriozitetit ligjor e logjik. Madje konstatohet se përmes mjegullës së mungesës së Kushtetutshmërisë dhe seriozitetit, ai noton më mirë për të bërë dëme më të mëdha.

Në muajin qershor ai e nxiti popullin drejt një lufte civile. Ishte e detyruar bota perëndimore aleate me vendin tonë që të ndalonte rrezikun e luftës.

Gjatë gjithë verës presidenti Meta ka bërë manovra jo- serioze për të kërcënuar kushtetutshmërinë dhe stabilitetin e vendit. Ka kërcënuar disa herë aleatët tanë SHBA dhe BE. Ka deklaruar se do të vrasë veten si presidenti Allende, duke lënë të nënkuptohet se Amerika po i bie në qafë.

Në gjithë këtë vijë zullumesh të mëdha, Parlamenti i republikës ka vendosur procedurën për shkarkimin e Presidentit. Që nga ky moment, Meta është kthyer në një ‘bishë’ kundër Reformës në Drejtësi, kundër stabilitetit, kundër Demokracisë, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtojë Drejtësisë për krimet e prezumuara që ka kryer.

Më në fund krijoji ngatërresën e madhe me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, vetëm em qëllim që Gjykata Kushtetuese të mos ndërtohet, sepse e di se kjo gjykatë do ta shkarkojë nga posti. Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për të bërë ‘zero’ vendimin e tij që bën lëmsh Gjykatën Kushtetuese.

Pas kësaj Presidenti u egërsua më shumë. Ai është i vendosur që para se të largohet të bëjë dëmet më të mëdha ndaj shtetit dhe paqes së vendit. Para pak orësh, për inat të Parlamentit, ai deklaroi se ‘do të shpërndajë Parlamentin’. Edhe pse kjo mundësi nuk i jepet sipas Kushtetutës, ai nuk pyet për këtë. Një veprim absurd, jashtë ligjit, në shkelje të Kushtetutës- ai e jryen. Rëndësi për Metën ka që të bëjë dëm, jo që të jetë në përputhje me ligjin dhe as serioz.

Jemi para një ‘bombe’ që ndodhet në Presidencë.

Veritas.com.al/