Nga Misela Patrioti

Nëse ndalojmë dhe bëjmë një listë të gjërave që i kishim premtuar vetes se do të realizonim, dhe në momentin që shohim se nuk kemi mundur t’i realizojmë, atëherë ne frustohemi, tronditemi.

Ne më tepër mendojmë dhe shqetësohemi se jemi shumë të zënë, sesa realisht mund të jemi të zënë. Pjesën më të madhe të kohës ne e shpenzojmë duke u shqetësuar, dhe jo duke mësuar sesi mund të bëjmë diçka të vlefshme. Ne më tepër ankohemi sesa punojmë. Ne jemi shumë të zënë sepse kështu duam të besojmë, se ne nuk e organizojmë kohën tonë për ta bërë sa më efektive. Nëse ne mendojmë gjithmonë për rezultatin, nëse do ta arrijmë dot apo jo, atëherë ne nuk do të kemi nxitjen dhe efektivitetin e duhur për ta realizuar objektivin që i kemi vënë vetes. Bëhe sa më të frytshme punën tënde, jo duke menduar si do e bësh, por duke e bërë, duke e konkretizuar atë. Mos mendo që je i zënë, je i stresuar, dhe nëse vërtet ke një kohë të limituar për të projektuar dhe realizuar diçka, atëherë është momenti i duhur të veprosh, mendimet dhe ankesat do të komplikojnë punën, do të ulin entuziasmin dhe vullnetin tuaj për punë. Gënjeshtra më e madhe që ne themi, por edhe që besojmë dhe vetë është që jemi shumë të zënë. Madje dhe para se të flejmë gjum ne mendojmë sesa të zënë do të jemi ditën tjetër, kur të nesërmen nuk mund ta dimë me saktësi. Çlirohuni nga kjo ide, ju mund të realizoni çdo gjë, merrni frymë thellë, ju gjithmonë do të keni kohë të lirë dhe do të realizoni çdo gjë, vetëm qetësohuni dhe besojeni, mjaft u ankuat,  jetoni!