TIRANË- Në parlamentin e Shqipërisë nuk do të zhvillohet një interpelancë me kryeministrin për tu përgjigjur akuzave të opozitës pas dokumentarit kritik që televizioni publik RAI 3 transmetoi.
Edi Rama e akuzoi kërkuesin e interpelancës, Gazmend Bardhin si pjesë e prapaskenës për prodhimin e këtij emisioni.
“Shkurt llafi, s’ka asnjë urgjencë për një poshtërim të radhës të parlamentit të Shqipërisë me një interpelancë të kërkuar nga autorët e prapaskenës së asaj shfaqjeje të shëmtuar në dëm të krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë, e në radhë të parë të shqiptarëve që jetojnë me nder e krenari sot në Itali, pasi kanë kaluar një kalvar të tërë poshtërimesh nga artikuj, emisione e gjasme investigime të tilla në të shkuarën e errët të shtypit italian e sidomos të RAI-t ndaj Shqipërisë’, theksoi Rama.
Kryeministri paralajmëron se së shpejti do të publikohen të dhëna të cilat provojnë bashkëpunimin e disa individëve në Shqipëri, për këtë dokumentar.
“Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund. Kështu që xhahilët, çingijet e ahengxhinjtë e tyre, le të vazhdojnë tallavanë e tyre me dollitë e gëzimit për denigrimin e Shqipërisë në atë emision skandaloz dhe le të mbrojnë Italinë e lirinë e RAI-it nga ndërhyrjet e mia, se helbete si njerëz pa atdhe që janë, punojnë për çdo të huaj që me qëllim apo nga padija është gati ta denigrojë Shqipërinë, duke nxjerrë në mexhelise jashtë kufijve tanë plehrat e shtëpisë së këtyre këtu’, shkroai Rama.
Të enjten, grupi parlamentar i PD-së kërkoi interpelancë me kryeministrin, pasi sipas tyre, telefonata që ai i kishte bërë një prej drejtuesve të RAI-t, kishte sjellë reagime të ashpra në politikën italiane./