Në Kotorr të Malit të Zi, sot mbahet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë Samit i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.
Samiti mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.
Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.
Muajt e fundit në Shkup dhe Tiranë janë zhvilluar takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Në këto takime, udhëheqësit dhe ministrat e vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara diskutuan mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar afrimin socio-ekonomik me Bashkimin Evropian, pra dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të favorshme të garantuara nga BE.