Njësoj si Operacioni ndërkombëtar hetimor i koduar ‘Los Blancos’ ku rezultoi me 4 tonë kokainë dhe 5. 5 milionë euro, si dhe 5 të arrestuar vetëm në Shqipëri, po kështu vazhdojnë edhe operacione të tjera kundër krimit që duket sikur fle i qetë. Mbi operacionin ndërkombëtar anti- kokainë po gjurmohet që prej vitit 2015, domethënë 5 vjet pa u ndjerë dhe pa u dukur.

Policia sot ka dhënë informacion zyrtar mbi operacionin ndërkombëtar anti-drogë ”Los Blancos” teksa informon se janë 5 të arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi.

Në njoftim zyrtar thuhet se hetimet kanë filluar që në 2015, dhe janë dhënë gjithsej 30 masa arresti, teksa u sekuestruan 4 tonë kokainë dhe 5.5 milionë euro.

Por ndërkohë, në themel të këtij operacioni ka qenë goditja e kartelit shqiptar të trafikut ndërkombëtar të drogës. Deri tani dihet që në pranga ka rënë Eldi Dizdari, pjesë e grupit dhe i përfshirë në vrasjen e 4  tetorit të 2018 në ish- Bllok Tiranë.

Në Shqipëri operacioni u shtri në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër teksa të 5-të që u arrestuan janë për t’u esktraduar në Firence ku janë dënuar nga Gjykata italiane.

Policia e Shtetit ka njoftuar:

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor.

Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.

Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:

Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Vlorë janë arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Durrës është arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Në Lezhë është arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.

 

Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.

VERITAS.COM.AL/