KOMENT/

Ecejaket për fillimin e negociatave dhe zgjatja përtej pritshmërive e procesit të integrimit në BE duket se e kanë ndikuar negativisht besimin e shqiptarëve te Bashkimi Europian.

 Rezultatet që dolën nga një anketë e Bankës Qendrore të Austrisë me qytetarët në rajonin e Europës Juglindore tregojnë se besimi i shqiptareve tek Bashkimi Europian ka pësuar rënie me gati 13 pikë për qind brenda një viti.

Në vitin 2019 vetëm 51 për qind e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE në raport me 64 % që ishin në vitin 2018. Besimi tek BE ka pësuar luhatje vitet e fundit, prej një kulmi 77 për qind, që kishte arritur në vitin 2011, menjëherë pas heqjes së vizave.

Megjithë këtë ulje Shqiptarët mbeten më nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në katër vendet jo anëtarë, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Shqipëri ku është zhvilluar anketa, besimi në Bashkimin Europian ka shënuar rënie të ndjeshme më 2019. Në të kundërt qytetaret në vendet anëtare të BE të tilla si Bullgaria, Çekia, Hungaria dhe Polonia kanë rritur besimin tek BE më 2019.

Në fund, përgjatë dekadës së fundit 2009-2019 shqiptarët kishin nivelet më të larta të besimit tek BE edhe se shtetet e reja anëtare, por kushtet për hapjen e negociatave duket se kanë humbur durimin e shqiptareve.

Por, pandemia Covid -19 i ka larguar edhe më shumë vendet e Ballkanit dhe shqiptarët nga Bashkimi Europian. Mungesa e solidaritetit për të zgjeruar ndihmat në rajonin më të varfër të Europës dhe tani së fundmi me mungesën e furnizimeve me vaksina mund të rrisin skepticizmin.

Pas daljes nga diktatura në vitin 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Në vitin 1999, BE propozoi Procesin e ri të Stabilizim Asociimit (PSA) për pesë vende të Evropës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë. Që nga viti 1999 Shqipëria nisi të përfitojë nga tregtia e lire Tregtisë me BE.

Në qershor 2001, Komisioni rekomandoi ndërmarrjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (SAA. Më 2006, MSA u nënshkrua në Këshillin e Marrëdhënieve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Luksemburg, ndërsa po në nëntor 2006, Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

Më 15 dhjetor 2010 hyri në fuqi hyrja pa viza në zonën Shengen dhe më 10 tetor 2012 Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE-së, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fusha të caktuara. Më 24 qershor 2014, nën Presidencën Greke të BE-së, Këshilli i Bashkimit Europian ra dakord të japin statusin e kandidatit të Shqipërisë, i cili u miratua disa ditë më vonë nga Këshilli Evropian. Në samitin e 24 Marsit 2020 u morr vendimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut./Monitor