Presidenti i Francës Emmanual Macron që për afro 15 minuta, përshkon përmes fjalës së tij, etapat e jetës e krijimtarisë së shkrimtarit Ismail Kadare, e rrjedhimisht me to edhe zhvillimet e vendit tonë, në Pallatin e Brigadave.

Ajo që duket si pasazh romancesk, ndodhi në ardhjen e tij të parë në Tiranë, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, ku mbrëmjen e 16 tetorit i dorëzoi dekoratën e “Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit”.

Ndjesitë për vlerësimin, Kadare ka preferuar gjatë këtyre ditëve t’i kursejë siç thotë “për të mos shtuar zhurmnajën e madhe”, por e ka një koment, kur Macron, edhe për kufizimet e kapërcyera në diktaturë, përmes letërsisë e konsideron si “Lajmëtar të lirisë”.

“Unë kam qenë gjithmonë lajmëtari i lirisë, çdo shkrimtar i njohur, i ndershëm është i tillë”, shprehet Kadare.

Ndërkaq, mbajtjen e Samitit të Berlinit në Shqipëri, shkrimtari e shikon me optimizëm.

“Mendoj se është një ngjarje shumë pozitive për imazhin e Shqipërisë”, thotë shkrimtari Ismail Kadare në një reagim.

Në këtë ngjarje ku Shqipëria, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, synojnë mbështetjen për integrimin në Bashkimin Evropian, dhënia e mesazheve përmes artit dhe vendosja e personaliteteve të kulturës në “vijë të parë” të pritjes së madhe, sipas shkrimtarit ndikon për mirë.

“Çdo gjë që hedh dritë mbi Shqipërinë, që shpërndan mjegullën, errësirën, keqkuptimet është pozitive”, thotë ai.

Si një nga figurat që ka ngritur çështjen e Kosovës gjatë Luftës, tek strukturat më të larta, ku lobonte për lirinë e saj tek Papa Gjon Pali II, deri edhe tek presidenti i Francës i kohës Zhak Shirak në 1998, Kadarenë e shqetësojnë konfliktet që trazojnë lirinë e saj.

“Mendimi im është ai mendim logjik i të gjithë njerëzve që e duan vendin e tyre. Uroj lirinë e plotë për Kosovën së shpejti.  Kosova është Shqipëri dhe një ditë e gjithë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj”.

E shmang bisedën për të përzgjedhurit e viteve të fundit për “Nobelin në letërsi”, ndonëse e lë të hapur mundësinë për një krijesë të re letrare.

“Sa i përket librave, unë mund të shkruaj gjithmonë diçka, por ato janë të pafundme në kujtesën e shkrimtarit. Prandaj është e pamundur të tregoj planet e ardhshme”.