Qindra forca policie kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në zonën e Fushë Krujës dhe malësisë së Krujës në një operacion masiv anti-kanabis, i ngjashëm me atë që u ndërmor në Lazarat 7 vite më parë.

Gazetari i “Report Tv” bën me dije se aksioni i policisë ka nisur pasi patrullimet e Guardia di Finanza nga ajri kanë zbuluar parcela me kanabis në këto territore.

Operacioni vijon ende, ndërsa janë mbi 10 sera të mbjella me kanabis që janë kamufluar si të mbjella me perime. Në megaoperacionin që po zhvillohet janë pjesë FNSH dhe RENEA. Në terren ndodhet edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Ardi Veliu, i cili drejton operacionin, bashkë me Gjovalin Lokën. Deri më tani janë shoqëruar 7 persona.

Si u arrit në zbulimin e këtyre parcelave

Monitorimi i misionit të Guardia di Finanza nga ajri, dronet e policisë, informacionet e shërbimit informativ kanë grumbulluar të dhëna për aktivitetin kriminal. Për disa javë është bërë vëzhgimi në terren me agjentë civil.

Media ka mësuar se pjesë e këtij hetimi është bërë edhe prokuroria e Posaçme kundër krimit e korrupsionit pasi nga të dhënat paraprake janë mbledhur prova për përfshirjen e zyrtarëve publik dhe atyre të policisë në tolerimin e kultivimit të kanabisit kundrejt parave që merrnin nga grupe kriminale.

Ky nuk është operacioni i vetëm që nga mëngjesi i kësaj të shtune pasi një raport i policisë së shtetit që “ReportTv” ka mundur të shohë, fletë për rritje të kultivimit të kanabis në qarkun e Lezhës, Shkodrës dhe fshatrave në qytetin e Belshit një zonë e cila më herët s’ka qenë e përfshirë.

Rasti i kultivimit të Kanabis me llamba në Shqipëri nuk është rasti i parë pasi në zonën e Krujës më herët policia finalizoi një goditje të tillë në Lushnje ku një karburant i braktisur ishte përshtatur për këtë aktivitet kriminal.

VIJON…