TIRANË- Më 4 gusht, qytetarët e Himarës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri në zgjedhjet e pjesshme, të cilat u dekretuan nga kreu i Shtetit, Bajram Begaj pasi Apeli i Posaçëm dënoi me burg Fredi Belerin dhe KQZ i hoqi mandatin e fituar në zgjedhjet e 14 majit.

Pas caktimit të datës, partitë politike do duhet të respektojnë disa afate ligjore, të cilat konsistojnë, duke nisur nga regjistrimi në garë, nisjen e fushatës zgjedhore dhe dorëzimin e emrave të kandidatëve.

Gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja raporton se fushata zgjedhore për Bashkinë e Himarës do të zgjasë vetëm nëntë ditë, afat që pritet të miratohet këtë të martë.

Fushata, sipas asaj që ka kërkuar KQZ do të nisë më 26 korrik dhe do përfundojë sipas afateve ligjore.

“Sipas një projektvendim, që duhet të miratohet ditën sotme në orë 16:30, është që fushata zgjedhore do të zgjasë vetëm nëntë ditë. Pra, fushata do të nisë më 26 korrik dhe zgjat vetëm nëntë ditë”, tha ajo.

Sa i përket emrave të kandidatëve, KQZ ka caktuar si afat 22 korrikun, ku të gjithë partitë apo koalicionet do duhet të dorëzojnë emrin e tyre.

“Kanë afat të gjithë subjektet jo më vonë se data 22 korrik, që të paraqesin emrat e kandidatëve”, tha ajo.

Partia Socialiste në këtë drejtim ka treguar sërish se është një hap para kundërshtarëve të saj. Ditën e hënë zyrtarizoi emrin e Vangjel Tavos, si kandidat të saj për zgjedhjet e pjesshme në Himarë./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *