Libertariani Gary Johnson tha para pak kohësh se nuk e dinte nga binte qyteti sirian i Alepit… dhe gjithçka ndodhi drejtpërdrejt në një emission TV.

Kandidati i pavarur në zgjedhjet presidenciale amerikane, Gary Johnson, nuk dinte të thoshte qoftë edhe një emër udhëheqësi botëror, pasi tri javë më parë u duk se nuk e dinte nga binte qyteti i Alepit në Siri. Libertariani Gary Johnson mbeti pa zë për më shumë se një minutë në kanalin televiziv MSNBC të mërkurën e kësaj jave kur një gazetar i kërkoi të përmendte udhëheqësit botëror që ai parapëlqen.

“Cili është udhëheqësi i huaj që ju parapëlqeni? Nga cilido kontinet, cilido vend, përmendni emrin e një udhëheqësi që ju e respektoni dhe e admironi, cilidoqoftë”, pyet gazetari Chris Matthews. Zëvendësi i Gary Johnson, William Weld, i ulur përkrah tij, përgjigjet i pari: “Imi është Shimon Peres”. Por “unë po flas për ata që janë gjallë”, ia kthen tak-fak gazetari, duke u kthyer nga Gary Johnson. “Ju duhet ta dini. Kudo, në cilindo kontinent. Në Kanada, në Meksikë, në Evropë, tutje, në Azi, në Amerikën latine, në Afrikë, më thoni një udhëheqës të huaj që ju e respektoni”, këmbëngul moderatori televiziv.

“Çfarë është Aleppo?”

 

“Besoj se është minuta ime Alep”, dorëzohet Gary Johnson, duke aluduar për gafën tjetër që bëri në fillim të shtatorit kur ia këputi: “Çfarë është Aleppo?”, pasi e kishin pyetur për qytetin sirian të rrethuar çprej muajsh. Gary Johnson tentoi më pas të thotë “ish presidenti i  Meksikës”, por nuk arriti t’i kujtonte emrin, duke u justifikuar me një “kam dhimbje koke”, zëvendësi i tij William Weld i erdhi në ndihmë duke bërtitur me të madhe “Fox”, duke iu referuar ish presidentit meksikan Vicente Fox (2000-2006).

“Fox! Ai ishte gjenial” tenton të marrë fjalën Gary Johnson kur gazetari i drejtohet tashmë William Weld-it i cili përmend kësaj here kancelaren Angela Merkel. Përsa i përket padijenisë së tij për Aleppon, kandidati shpjegoi se kur e pyetën po mendonte “për një akronim dhe jo për konfliktin sirian”. Partia e Gary Johnson gjendet zakonisht në kufijtë fundorë të pejsazhit politik amerikan, i dominuar nga partia republikane dhe ajo demokrate. Sivjet, ai mund të jetë megjithatë zgjedhja e shumë amerikanëve që refuzojnë të votojnë  për demokraten Hillary Clinton apo republikanin Donald Trump, kandidatët më apopullorë të historisë së Shteteve të Bashkuara.

 

/AFP- VERITAS/