Shtetasit e parë afganë që do të vinin në Shqipëri, kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit pas mesnate. Janë 121 fëmijë, gra dhe burra të cilat u larguan nga regjimi që është vendosur tashmë në Afganistan, pas marrjes së Kabulit nga talebanët.
Të pranishme në Rinas në momentin e ardhjes së avionit të parë, kan qenë ministrja Xhaçka dhe ambasadorja Kim. Ndërkohë, kryeministri ndan pamjet dhe ka një mesazh për ardhjen e tyre.
“Mirëmëngjes pa u gdhirë, dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën”, shkruan kryeministri.