Parku më i madh fotovoltaik jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin, do të marrë jetë zyrtarisht, për ta kthyer vendin në një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjetikës në rajon.

Ndërtimi do të nisë që sot.

Në inaugurimin e punimeve, të premten e 1 korrikut, të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, si edhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.

 

Zonja Balluku theksoi se sa me rëndësi është ky projekt, mbi të gjitha në premisën e luftës së fundit në Ukrainë, që ka shkaktuar krizë të madhe energjetike në gjithë Evropën.

 

Kapaciteti i parkut fotovoltaik do të jetë prej 140 megawatt/orë dhe kjo do të realizohet falë klimës në Shqipëri dhe veçanërisht në lagunën e Karavastasë.

Aty dielli është jo vetëm i pranishëm shumicën e vitit, por edhe me një rrezatim shumë të lartë e optimal.

Janë 196 hektarë, të cilët do të kthehen në fushë prodhimi të energjisë diellore, duke prodhuar thuajse 260 gigawatt energji elektrike në vit.

Një pjesë të kësaj energjie, do ta marrë edhe shteti shqiptar në përdorim, si pjesë e marrëveshjes me kompaninë e kontraktuar për ndërtimin e parkut, Voltalia.

Në një linjë është edhe kryeministri Edi Rama, mbi rëndësinë e madhe që mbart projekti për Shqipërinë.

Posaçërisht, për faktin se tashmë ka një rëndësi strategjike dhe çmimi, me të cilin shteti shqiptar e ka kornizuar kontratën, është shumë i volitshëm.

Sipas kryeministrit, është një arritje e madhe, fakti se Shqipëria mbetet vendi i vetëm në Evropë, që nuk e ka rritur çmimin e energjisë elektrike, por e rimburson atë për familjarët dhe biznesin e vogël.

Kjo gjë ka shmangur edhe rritjen e inflacionit në nivele shumë të larta.

Projekti, gjithsesi, nuk mbetet ndër të vetmit në Shqipëri, pasi ka plane edhe për struktura të tjera të prodhimit të energjisë diellore dhe asaj eolike.

Po ashtu, gazifikimi i vendit mbetet një sfidë, për të cilën po punohet.