Frrok Çupi

Ju mendoni se iku?. Parlamenti i Kosovës e rrëzoi qeverinë 50 ditore ‘Kurti’, duke dhënë një sinjal se e nxori Kosovën prej asaj qeverie pa aq shumë dëme…

Por a iku? Tani nis ardhja e “e tyre”. Sapo ra qeveria, ata deklaruan se ‘tani të na shikoni sa fuqishëm do të vijmë!’. Edhe nëse do të pengohen në digat e shoqërisë pozitive, prapë me mendjen e tyre do të jenë duke ardhur dhe duke kërcënuar.

‘Kurtë’ kemi kudo, në shtetin shqiptar, në shtetin serb, në shtetin maqedonas… Revolucionet më perfide ndodhin në këto zona epike e folklorike të politikanëve banditë.

‘Kurtët’, mes tyre, janë specia njerëzore që rrotullohet në flluskën e vet ku ‘nuk hyjnë as njerëz, as mikrobe’.

A e keni vënë re se militantët e VV në Kosovë janë si të klonuar alias Albin: gurgacë si ai, dinamit si ai, dredharakë si ai, perfekt si ai, kërcënues e idhnakë si ai, pa brumë si ai, sterilë si ai…

Po njerëzit e admiruar prej Kurtit në Tiranë, a i keni parë cilët janë? Sapo shkel në Tiranë, Kurti u shkon në zyrë dhe sapo del nga zyra, i imiton. Këta janë ose nga kasta e kaluar që ka kryer dëme të rënda në Shqipëri tre dekada, ose revolucionarë që kanë shëtitur burgjeve, ose ‘gjuetarë’ korrupsioni në piramidën e shtetit që presin të godasin shoqërinë me çka të munden: bomba, dekrete, turma njerëzore shtatë ditë para shpërthimit të coronavirusit, letra nëpër Evropë ‘aman mos e pranoni Shqipërinë’, etj.. Edhe përfaqësuesi ideologjik i Kurtit në Tiranë është zgjedhur nga ata që sulmon hapur Gjergj Kastriot- Skënderbeun si ‘mercenar’ dhe Nënë Terezën si ‘militante’.

Këta, jo duket sikur, por janë disa të mbledhur në një.

Janë mbledhur si në anije,

në Anijen që filozofët e kanë quajtur “e Vetëdijes Kritike”. Filozofi Ibid, ndoshta mes më të lashtëve, ka shkruar: ‘Kush udhëton me anije mbi ujë/ sheh tokën që shket, jo anijen e tij”.

Për këta të anijes, ecën toka; toka sa vjen e bëhet e vogël dhe e pavlerë sa një guacë. Ka një ndryshim mes atyre që hipin në anije, njerëzve të zakonshëm dhe atyre të tjerëve. Njerëzve të zakonshëm u merren mendtë, ndërsa të tjerët janë ndryshe, nuk u ndodh asgjë…. “Kurtët’ edhe kur ndezin parlamentin, ndjehen pa dhimbje koke. Edhe kur luftojnë Republikën ( Kosobë a Shqipëri), e bëjnë me kënaqësi. Serbinë, duke ‘ e luftuar’ e kanë kthyer në regjim për qytetarët. Idoli i tyre është kundërshtari: O Tito, o Millosheviç, o Che Guevara i largët. Prapë sot Kurti bëri ironi me Amerikën. Aleatin jetik që ka zgjedhur vetë kombi, ky e lë pas dere. Asnjë moment nuk i merren mendtë, as do tia dije. Ka disa kohë në Tiranë, që nga presidenti, ish presidenti, zonja e parë dhe e dytë…, godasin prezencën e Amerikës në Shqipëri…

Në anije nuk ka frikë, frikë për asgjë.

Frika ka mbetur në tokë, atje njerëzit vdesin nga frika. Frika është njerëzore, ndërsa këta janë mbinjerëz. ‘Kurtët’, si atje në Kosovë, edhe në Tiranë, kanë deklaruar se janë qenie perfekte. ‘Jam i pakorruptueshëm’, tha Kurti, si të thoshte ‘nuk jam njeri’. Njerëzit perfekt dhe sterilë janë më të dyshuarit si të ndotur thoshte Giacomo Rossini. E pamundur njeriu perfekt, veç Zotit, thotë gjithë dituria njerëzore. Njeriu është qenie biologjike dhe ‘biologjia është një pisllëk i pashoq’. ‘Kurtët’ ose dalin në foto duke ngrënë fasule të ligshta, ose me fëmijët në Londër por që ‘vuajnë për bukën e fëmijëve’. Edhe në Tiranë kishim një eksperiencë demokratike: Menjëherë pas revolucionit, presidenti demokratik qëndroi ‘si popull’ në apartamentin e vjetër. Populli u gëzua. Por vetëm pas katër vjetësh populli shpërtheu në luftë civile për shkak të korrupsionit, ishte viti 1996-97.

Këta nuk kanë frikë të tallen me popullin, ndërsa populli në tokë vdes nga frika.

Në anije ka unitet,

ndërsa për tokësorët nuk ka. Tokësorët janë ashtu siç është njeriu, ndërsa ata të Anijes shtrëngojnë radhët. I kam dëgjuar dje në seancë militantët e Kurtit në Kosovë. Ndoshta janë aq ‘axhami’, por nuk e besoj. ‘Po rrëzoni Kurtin!? O zot, e mbytët Kosovën, tani nuk ka më jetë?”, thanë. I bën kështu vetë gjendja kapluese e anijes me unitet. Pse tokësorët nuk kanë unitet? Sepse janë njerëz normalë dhe janë pluralë. Sepse nuk kanë pushtet dhe nuk u duhet uniteti i anijes. Anija është e ngarkuar me pushtet, uniteti është e vetmja mënyrë për ta mbajtur; ata që devijojnë hidhen në det. Kështu i kanë hedhur liderët e anijes të gjithë individualët, që nga krijimi i pluralizmit politik edhe në Tiranë… I bie që ata me pushtet në anije kanë më shumë frikë. Albin Kurti e goditi edhe qeverinë e tij për shkak të frikës. Frika se nuk mund të qeveriste e bëri të rrëzojë veten, dhe frika se nuk rri dot pa pushtet e bën që të sulmojë përsëri.

Në anije ka marrëzi,

ndërsa në tokë askujt s’i intereson se sa të marrë janë. Jetojmë mes të marrësh. Tokën e shikojnë nga larg si lëvozhgë dhe bëjnë pyetjen “ vallë si mund të mbahen mbi atë lëvozhgë?’. Kurtët e Kosovës po bëjnë deklarata se ‘na ka votuar populli’, që në fakt nuk është e vërtetë. Po ç’ne edhe sikur të të ketë votuar populli që nga anija? Do të thuash se populli është i marrë dhe nuk qenke ti i marri… Në Kosovë janë bërë gati t’i sulen prapë popullit për t’i kërkuar votë dhe për ta ndotur prapë popullin. Edhe këtu ka ndodhur. Por nuk do të thotë se njerëzit e Anijes u bënë të mirë. Edhe më të ligjtë e botës janë ngjitur në pushtet me anë të votës, po ç’e ka gjetur popullin pastaj!? Stërkeqja e njeriut ka për qëllim të fundit që të fajësojë shoqërinë si burim të marrëzisë… Ja, për këtë janë nisur e ‘ po vijnë’ kurtët.

VERITAS.COM.AL