Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi sot listën e qeverisë për tre kandidatët e paraqitur prej saj për gjykatësin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por ata janë shpërfillur krejtësisht duke u informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të intervistohet fare.
Edhe pse nuk është bërë e ditur arsyeja e refuzimit, teorikisht hedhja poshtë e listës në bllok mund të bëhet për dy arsye: Procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.
Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.
Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të tjera.
Gjykatësi shqiptar i tanishëm në Gjykatën e Strasburgut deri tani është Ledi Bianku, mandati 9 vjeçar i të cilit mbaron në mars të vitit të ardhshëm.