Koment/ Maxhoranca parlamentare mund të ketë javën që po nis, numrin e nevojshëm të votave, më shumë se 84, për të miratuar reformat që i nevojiten,  pra 2/3 e Kuvendit.

Përveç deputetit të LSI, Lefter Koka, si dhe deputetit të PD-së, Myslim Murrizi, të cilët kanë refuzuar zyrtarisht djegien e mandatave, apo edhe të deputetes demokrate Rudina Hajdari e cila ndonëse nuk është shprehur ende, ka refuzuar deri tani t’i bashkohet nismës së partisë së saj, kjo javë pritet të sjellë emra të rinj deputetesh nga listat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.

Disa nga të pabindurit e parë që vijnë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet që të hënën të marrin mandatin e deputetit.

Të premten 4 kandidatë nga listat e LSI-së dorëzuan formularin e vetë-deklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të nisur edhe procedurat për marrjen e mandatit. Këta 4 deputetë të rinj do t’i bashkohen 2 deputetëve Muslim Murrizi i PD dhe Lefter Koka i LSI që nuk pranuan të dorëzojnë mandatin.

Në Qarkun e Tiranës  Floida Kërpaçi do të zëvendësohet nga kandidati tjetër në listë i kësja partie, Ylli Shehu.

Mandati i Endrit Braimllarit do t’i kalojë Edmond Rrushit, i cili ndodhet i dhjeti në listën e LSI dhe nuk ka refuzuar marrjen e mandatit.

Numri i deputetëve që vjen nga kjo parti në Qarkun e Tiranës mund të jetë edhe më i madh.

As Ralf Gjoni nuk e ka mohuar marrjen e mandatit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i japë Aurora Mares mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës. Në Elbasan mandatin e LSI, që mbante Edmond Haxhinasto,  do ta marrë kandidati që vjen pas tij Enver Roshi.

Nuk janë vetëm kandidatët e LSI që kanë dalë kundër vullnetit të partisë së tyre pasi janë edhe Zana Prela, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi nga PD-ja që nuk kanë firmosur dorëheqjen nga mandatit. Partitë e vogla jo parlamentare po përfitojnë nga mungesa e opozitës për të krijuar opozitën e re.

Pas partisë së Gjelbër pritet të regjistrohen për zgjedhjet vendore të 30 qershorit edhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë si dhe Partia Kristian Demokrate, apo edhe ajo e Spartak Ngjelës ‘ Ligj dhe Drejtësi’. Madje ky i fundit tha se është gati të hyjë edhe në zgjedhje parlamentare të pjesshme si opozitar për të plotësuar Kuvendin me 14 deputetë, përmes një propozimi që ai bëri për zgjedhje të pjesshme pas djegies së mandatave nga opozita.

Veritas.com.al/