Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim i ka dërguar një mesazh të fortë prokurorëve, që të dyfishojnë luftën kundër korrupsionit. Për këtë, ajo solli në vëmendje urdhjen e presidentit Biden që paralajmëron bllokim prone dhe ndalim i hyrjes në SHBA për të korruptuarit, një vendim që prek edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur ‘Non Grata’. Në këtë luftë, Kim thekson se duhet një bashkëpunim mes të gjithave institucioneve pasi tashmë janë funksionale, edhe pse pranoi që sistemi i drejtësisë është jo në majën e performancës së tyre.
Që sistemi i drejtësisë funksionon dhe po jep rezultati, Kim u kujdes që të sillte në vëmendje arrestimin e djeshëm të kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, i akuzuar për korrupsion. Për kreun e SPAK, Arben Kraja, institucioni që ndërmori operacionin e djeshëm në Lushnje, por jo vetëm, ky është vetëm fillimi i luftës kundër atyre që kanë shkelur ligjin.
Megjithatë, përtej kësaj, një nga pikat për të cilat diplomatja amerikane listoi si një element për t’u rregulluar është plotësimi i vakancave të mbetura në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve për shkak të Vettingut. Në këtë pikë, ra dakord edhe me ministren e drejtësisë, Etilda Gjonaj, që tha që sistemi i drejtësisë është krejtësisht i ndryshuar.
E rrethuar nga krerët e institucioneve të reja të drejtësisë, Gent Ibrahimi (KLP), Arben Kraja (SPAK), kryeprokurori, Olsian Çela, Gjonaj tha se tashmë është momenti për të parë rezultatet e Reformës , për të vendosur themelet e një drejtësie të re.