Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla.

Përmes një postimi në Twitter ajo njoftoi se kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Shqipërisë.

“Vazhdimi i zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbështetet nga SHBA-të është e nevojshme që Shqipëria të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe duke respektuar rolin institucional të Parlamentit”.

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka zbardhur detaje nga takimi me kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla.

Kim shprehet se kanë folur për reformën në Drejtësi të mbështetur nga SHBA që është e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe respektimin e rolit institucional të parlamentit.

“U takova sot me Taulant Ballën për të diskutuar për rritjen e bashkëpunimit gjatë kremtimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve; vazhdimin e reformës në Drejtësi e cila mbështet nga SHBA dhe është e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE; dhe duke respektuar rolin institucional të parlamentit”, shkruan Yuri Kim.

 

Kujtojmë se një ditë më parë, ambasadorja u takua me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Diskutim shumë i mirë sot me kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për një gamë të gjerë çështjesh”.

Duke mos treguar detaje të takimit, Kim u shpreh se SHBA-të kanë pasur një marrëdhënie të fortë, të veçantë me PD-në që në lindjen e saj.

“Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë – shpresojmë që kjo vetëm të forcohet”, shkruan ajo në median sociale Twitter.

Sakaq, ajo vendos theksin te rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“SHBA-Shqipëri kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë të ecim së bashku përpara, jo prapa”, e përmbyll mesazhin e saj Kim.