Në një vjetorin e marrëveshjesh 17 majit, agjendat e dy protagonistëve të paktit të shumë diskutuar duket se do t’i bashkojnë sërish Edi Ramën me Lulzim Bashën. Këtë herë vendi nuk është në Tiranë, por në Sofje të Bullgarisë.

Kryeministri Edi Rama ka planifikuar që pas takimit në Paris me presidentin Francez, Emanuel Macron të udhëtoj drejt Sofies. Kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë në samitin e BE me kryeministrat e vendeve të rajonit. Ftesa është bërë nga Presidenti i KE, Donald Tusk.

Por po në Sofje këto ditë do të jetë dhe Lulzim Basha. Zyra e shtypit e PD njoftoi sot nisjen me urgjencë të kreut të PD-së, Lulzim Basha drejt Bullgarisë. Kryedemokrati do të marrë pjesë në takimin e Partive Popullore Europiane, pjesë e të cilave është dhe PD-ja. Sipas selisë blu, Basha do të kërkojë në PPE çeljen e negociatave të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.

Në dukje agjendat janë të ndara. Por të dy politikanët ndodhen në Bullari për një qëllim të përbashkët, që është çelja e negociatave. Ndaj nuk është çudi që në kryeqytetin bullgar rrugët e kreut të PD dhe kreut të qeverisë të takohen si “rastësisht”. Pas paktit të 17 majit të një viti më parë asgjë nuk është më tabu. Dy politikanët u takuan rregullisht një vit më parë, ndan pushtetin, caktuan rregullat e lojës dhe “dashuria” zgjati derisa Edi Rama e masakroi në zgjedhje kreun e PD. Basha thotë këto kohë se nuk ka më asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Por shpesh herë nuk mungojnë as zërat nga brenda PD që hedhin dyshime nëse pakti mes dy kryetarëve ka përfunduar, apo vijon të në forma të tjera.

Këtyre zërave u shtohen dhe zhvillimet e vrullshme të ditëve të fundit. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prej një javë është vënë në qendër të sulmit nga Partia Demokratike. Janë jo të paktë ata PD dhe PS që mendojnë se një pjesë e sulmeve janë të orkestruara sipas një pakti të fshehe mes opozitës dhe segmenteve në qeveri. Heshtja e Ramës dhe hezitimi i tij për të mbrojtur ministrin e Brendshëm i ka shtuar edhe më shumë këto zëra.

Pas gjullurdisë që është krijuar në Tiranë me sulme, përgjime dhe  akuza, Edi Rama dhe Lulzim Basha do të ndodhen në Sofie. Zyrtarisht janë në aktivitete të veçanta, por kanë jo pak arsye për tu takuar. Fshehur apo në publik kjo ka pak rëndësi.

Veritas.com.al/