Dosjet e të paktën pesë kandidatëve që garojnë për institucionet e reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP kanë nxjerrë në publik të dhëna skandaloze. Emrat që mazhoranca përzgjodhi (nga emrat e saj) me short për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësorë rezultojnë të kenë probleme serioze me ligjin. Me shkeljet që janë gjetur në karrierën e tyre, kandidatët e zgjedhur nga PS nuk do të pranoheshin as për të marrë një detyrë të zakonshme në administratën e shtetit. Por që nga dje janë kandidatë zyrtarë për në institucionet më të larta që do të nxjerrë reforma në drejtësi. Imagjinoni se çfarë drejtësie do të bëjnë këta, ndërkohë që vetë kanë fshehur në deklarime çka duhej shkruar sipas ligjit të dekriminalizimit.
Konkretisht kandidati për KLGJ nga shoqëria civile Altin Hazizaj është dënuar dy herë, sipas PD, dhe ky fakt nuk është pasqyruar në dosjen e tij. Njëherë është ndaluar nga policia për shkelje të kodit rrugor, por në të vertetë u dënua për shkrimet në “Koha Jone”, kur punonte si gazetar. Por gjithsesi duhej deklaruar në formular, pasi në këtë sens vetëm i bënte nder atij për këtë dënim. Për dënimin e dytë nuk kemi informacion, por prapë duhej deklaruar.
Kandidati Sokol Lamaj, sipas PD, nuk ka vërtetimin për shlyerjen e detyrimeve tatimore, që është shkelje flagrante për kriteret e kandidateve që vijnë nga avokatia. Ky fakt është fshehur në procesin e shqyrtimit të kandidaturës. Një tjetër fakt skandaloz lidhet me kandidatin Kozma Jano. Ky i fundit ka qenë, prapë sipas PD, punonjës i sigurimit të shtetit. Edhe pse ky është një kriter përjashtues për çdo detyrë publike të lartë, fakti është se emri i tij kaloi në komisionin e ligjeve dhe mori mbështetjen e PS. Kandidati Alfred Balla u refuzua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe rezultoi se kishte vjedhur platformën e kandidimit. Por sërish nga PS u vlerësua si kandidat i rregullt. Kandidati Ilir Panda, ish-drejtues i lartë i Ministrisë së Drejtësisë (ministër) gjatë qeverisjes së mëparshme të PS, u klasifikua si kandidat i rregullt, ndërkohë që përvoja e tij politike e ndalonte diçka të tillë.
Këta emra që janë politikë, ish të dënuar dhe ish-anëtarë të sigurimit famëkeq të shtetit, nesër mund të kenë në dorë me votën e tyre Vettingun dhe emërimet e njerëzve të prokurorisë dhe drejtësisë së re. Pavarësisht se çfarë mund të thuhet sot për karrierën e tyre, ligjërisht ata kaluan në komisionet e Kuvendit dhe do kalojnë për votim në seancë. Problemi nuk është i atyre që kandidojnë, por i atyre që ishin në dijeni të këtyre problemeve ligjore dhe sërish i paraqitën në seancë. Jemi në situatën kur nuk kemi të bëjmë vetëm më harrese apo mosdije, por me shkelje të vetëdijshme ligjore nga ana e Kuvendit dhe Sekretarit të Përgjithshëm. Sepse qëllimisht janë fshehur të dhëna për karrierën e kandidatëve si dhe është shkelur ligji për përzgjedhjen e kandidatëve. Për rastin e Altin Hazizajt dokumenti i Drejtorisë së Burgjeve që faktonte dënimet ka qenë në sirtarët e Kuvendit, por nuk u është dhënë deputetëve që e votuan. Po ashtu edhe për rastin e Kozma Janos mjaftonte që Kuvendi të zbatonte ligjin duke kërkuar informacion nga Autoriteti i Dosjeve dhe ishte kandidimi i tij nuk do të ishte bërë i mundur.
Por qëllimi i PS dhe drejtuesve të Kuvendit nuk ka qenë transparenca, por mesa duket, zgjedhja e njerëzve që ishin afër kësaj force politike, ose emra që shantazhohen me dosje. Në këtë mënyrë, emrat e paraqitur nga PS-ja jo vetëm vijnë me shkelje ligjore, por nuk kanë as miratimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kjo situatë politikisht i shërben vetëm PS për të kapur institucionet e reja. Ndërsa ligjërisht është një akt i paprecedentë që mund të ketë vetëm një reagim institucional, hetimin e procedurave që u ndoqën nga Kuvendit. Hetim për nënkomisionin e Drejtuar nga Ulsi Manja dhe hetimin e Sekretarit të Përgjithshëm që ka fshehur dokumentet.
Kryeprokurorja Arta Marku e zgjedhur si njeriu që do kujdesej për fazën tranzitore të reformës në drejtësi ka para saj një shkelje flagrante që rrezikon të hedhë në erë gjithë reformën. Nëse vërtetë e shqetëson zbatimi i ligjit ajo duhet të nis urgjentisht hetimet për njerëzi që çuan në Kuvend emra sigurimsash dhe të dënuarish.
Koha Jonë/ Veritas.com.al/