(FOTO: Pamje e rreshtimit policor në stadiumin “Elbasan Arena” ku pritet të nisë ndeshja e futbollit Shqipëri- Izrael)

Nga Veritas.com.al

Sonte, në 20.45, në “Elbasan Arena”, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit mes ekipeve përfaqësues Shqipëri- Izrael. Prej ditësh, mediat që iu referohen masave të sigurisë të aplikuara nga shteti shqiptar, me lajmet e transmetuara, kanë ngjallur frikë te njerëzit. Sot një nga përfaqësuesit e Federatës shqiptare, Dritan Kokona, u detyrua t’u bëjë thirrje spektatorëve: “Mos u trembni hajeni në stadium”. Kaq poshtë ka rënë dashuria për lojën.

Me sa u tha, ndeshja e futbollit ishte parashikuar të luhej në stadiumin e Shkodrës. Askush nuk kuptoi pse u transferua e drejta për lojën nga Shkodra në Elbasan. Veçse u tha se “për arsye sigurie”. Është dëgjuar që qytetarët e Shkodrës të jenë ndjerë jo mirë pas kësaj, sikur në Elbasan, në të njëjtin shtet,  qenka më e sigurt jeta. Ndoshta as Elbasni nuk ndihet mirë, aq më shumë që edhe tunelin e rrugës automobilistike në Kërrabë e kanë mbyllu për shkak “sigurie”. Duket se vetëm dhitë që kalojnë në rrëpirat e Kërrabës janë të sigurta!…

Por sidoqoftë, Elbasani nuk meriton të frikësohet. Në prag të ndeshjes është hapur fjala se mund të ketë “terrorizëm islamik”. Këtë “rrezik” e kanë lidhur me dy faktorë: E para se njëra nga ekipet është i Izraelit ku Islamikët kanë urrejtje dhe hakmarrje, dhe mund të hakmerren në Elbasan. E dyta, se luftëtarët e ISIS janë të zemëruar me shqiptarët, të cilët i kanë “mallkuar” disa luftëtarë shqiptarë që janë instaluar pranë ISIS.

Duken si përralla, pro këto e kanë krijuar situatën e frikës në Elbasan, si një Betlehem.

Prej ditësh kanë mbërritur agjentët e Israel Secret Service “Mosad, që kanë mbushur qytetin dhe shikojnë secilin me dyshim. Në tarracat e pallateve pranë stadiumit janë vendosur mjete përgjimi dhe armë snaiper, në bare, restaurante dhe dyqane rrotull stadiumit, kontrollohen ata që hyjnë e dalin, në banesat pranë stadiumit të gjitha hyrje- daljet e banorëve vëzhgohen me dyshim. Stadiumi sonte është i rrethuar nga qindra forca Policie.

Mbi të gjitha- psikoza e frikës që është përhapur në gjithë qytetin.

-Po pse?- “bahet” pyetja, sipas nëndialektit në Elbasan.

/Veritas.com.al/