Meteorologia Tanja Porja tha se temperaturat ditën e nesërme do të shkojnë në 38 gradë ndërsa nga mesnata e së hënës pritet një ulje prej 3-4 gradësh, ndërsa do të ketë shira në pjesën më të madhe të territorit. Por sipas saj nuk është për t’u shqetësuar, pasi temperaturat do të jenë tipike të korrikut deri të enjten, ndërsa bregdeti mund të shpëtojë edhe pa shi. Ndërsa nga mesdita e së enjtes do të ketë sërish rritje të temperaturave.

“Në fakt duke qenë se këtë fundjavë presim temperatura në kulm 35-36, në disa zona edhe 37, ndërkohë nesër presim që të tejkalojë 38, ndryshe paraqitet situata për tre ditët e para të javës që vjen. Mesnatën e së dielës presim një sistem vranësirash që i afrohet territorit shqiptar i cili do të sjellë gjatë së hënës shira në 98-99% të territorit sigurisht dhe një rënie temperaturash , një rënie të lehtë mëngjesin e së hënës dhe pak më shumë me 4-5 gradë në mesditën e së hënës. Megjithatë për t’i qetësuar të gjithë, nuk është se moti do të freskohet, temperaturat ulen në normalitetin e tyre mujor. Pasi nëse jemi nga 36 deri në 38 gradë gjatë fundjavës. Të hënë, të martë e të mërkurë kur presim dhe këtë freskim të motit, do të jemi në vlerat 32-33 gradë celsius.

Pra temperaturat kthehen në normalitetin e muajit korrik. Reshjet, të hënën janë në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht në zonat veriore e qendrore dhe juglindje, më pak ka jugperëndimi. Ka shanse që bregdeti jugperëndimor të kalojë pa shira, megjithatë e marta me gjithë se reshjet dhe vranësirat mbeten prezentë në zonat malore dhe pjesërisht në zonat qendrore, bregdeti mbetet me vranësira e kthjellime por pa reshje. E njëjta situatë është edhe të enjten. Reshjet priten në zonat lindore, në të gjithë shtrirjen malore të Shqipërisë. Reshjet janë kryesisht pas mesditës ose pasdite. Ndërkohë bregdeti dhe pushuesit që janë në bregdet do të kenë mot të kthjellët. Të enjten në mesditë dhe në vijim presim sërish rritje të temperaturave. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, apo për të shkëputur pushimet pasi deri në fund të muajit korrik parashikohen që temperaturat të jenë 3-4 gradë mbi maksimumet tipike të korrikut. Nëse maksimumet tipike janë nga 30 në 32-33 deri në fund të korrikut presim nga 35-37 gradë celsius, ndërsa reshjet do jenë të pranishme gjatë pasditeve në vendet malore”, tha Porja për “BalkanWeb”.

Për sa i përket gushtit, ajo tha se është shpejt për t’u parashikuar por se 10 ditëshi i parë me shumë gjasa do të jetë si fundi i korrikut.

“Për gushtin është shumë larg për të folur, megjithatë 10 ditëshi i parë i gushtit pritet të jetë i nxehtë. Pak a shumë në 10 ditëshin e parë të gushtit do mbetemi tek temperaturat e korrikut”, tha Porja.

Veritas.com.al/