Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për “kundërshtim të policisë” dhe “tubime të paligjshme” pas përplasjes që ndodhi tek “Astiri”.
Duke folur nga Prokuroria e Tiranës ku shkoi të paraqitej për t’u njohur me akuzat, Balliu u shpreh se në gjyq po i çon Kryeministri Rama dhe jo ligji, pasi ndaj tyre nuk ka prova.
“Këtu gjithçka ndodh, ata shkuan për t’i vrarë. Këtu s’kanë lidhje provat. Neve nuk është se po na çon ligji nëpër gjykata, ne po çon Edi Rama”.
Balliu ka paralajmëruar se mbrëmjen e sotme Partia Demokratike do të publikojë prova dhe dokumente, që sipas tij, do të tregojnë zaptuesit e vërtetë të tokave në Shqipëri.
“Sot në darkë do të shihni disa prova dhe dokumente se kush janë hajdutët e pronave në Shqipëri. Do t’i shikoni shumë shpejt, sot në darkë”.
Kurse avokati mbrojtës i Balliut theksoi se kjo që po ndodh është presion dhe përplasja me policinë mund të shmangej.
“Dërgimi në gjyq bëhet pikërisht tani në momentin kur është faza finale tek Astiri, tani po e shikoni që po caktojnë data gjyqesh, po përfundohen hetimet. Kjo është thjesht një formë presioni. Nuk mundesh të marrë të pandehur 1 vit e 8 ditë një komunitet të tërë atje për grumbullim të paligjshëm, ndërkohë që ata janë në koshiencën e tyre, në të drejtën e tyre, janë në mbrojtje të shtëpive të tyre. Nuk janë se po sulmojnë institucione. Kjo përplasje e policisë ka qenë plotësisht e evitueshme edhe nuk kishte pse të vinim as ne këtu, as gjyqet të bëheshin”.
Dy ditë më parë, fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit shembën 33 ndërtesa në zonën e “Astirit” në kryeqytet, ku pati përplasje të dhunshme mes policisë dhe banorëve.
Veritas.com.al/