Frrok Çupi/

Nuk po mendoja se Kodi shtrihej përtej kufijve të “zakonit” shqiptar; ose thashë  se nuk ia vlen të shtrihesh nëpër kombe të tjerë. Desha të “prek” veç  një kod që vërtitet mes nesh si një “fjalë e urtë”, se njëri vëlla zgjidhet si komunist, tjetri ballist dhe çohen në luftë. Thonë se kjo ka lindur që nga Lufta e Dytë, por  duhet të jetë më e thellë në kohë. Ata që e njihnin më mirë erën e pushtetit, dërgonin në Luftë dy vëllezër; njërin me njërin krah, tjetri me tjetrin. Kush të fitojë!

Ja kaq desha të them duke ilustruar me dy a tre fakte nga kodi ynë kombëtar.

Kur po lexoja lajmin se si shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Mogerini, paska një mbesë që është përzierë me bandat e krimit të drogës në Shqipëri dhe në Itali- kjo më bëri të shkoj përtej zakonit “shqiptar”. Natyrisht, asgjë nga sjelljet politike nuk mund të jetë veç shqiptare; kot e përflasin kombin e vet disa shkrues ose ligjërues morali.

Partizanë, fashistë dhe komunistë kishte edhe Italia; edhe të tjerët. “Partizanët” dhe “ballistët” tanë ndodhen në çdo parti, në çdo qeveri, në çdo celulë interesi. Edhe aty ku ka krim, edhe aty ku ka vdekje, edhe aty ku lindin politikanët në “maternitetet” politike- ka dy vëllezër, njëri partizan e tjetri ballist.

E patë dokumentarin për vrasjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj? Me siguri, para se të shikonit dokumentarin, keni dëgjuar jehonën se si u ndalua. Aty ku u ndalua është një televizion komunistësh; sigurisht që do ta ndalonin. Disa nga prodhuesit e dokumentarit, edhe pse në “mitër” komuniste, u shfaqën si “vëllezër demokratë”. Të tjerët që, më vonë,  morën guximin ta transmetojnë,  u ndodhën në dyzim: Ta transmetojmë për të sfiduar rivalët?! Apo të tregohemi si opozitarë të komunistëve televizivë?!

Të gjitha këto të kundërta-  në një “mitër” të përbashkët.

Brenda vetë krimit të vrasjes në landfill, ngërtheheshin autorë të kundërt. Opozita akuzoi qeverinë se njerëzit e saj kanë vrarë Arditin. Përgjegjësi më i madh i Kompanisë që “vrau” ishte kryetar i Partisë Socialiste (në qeveri) diku në Peqin; quhet Edurim Teqja. Ai u zhduk pas akuzës dhe u shpall në kërkim. A mendoni se qeveria nuk e di ku ndodhet? A mendoni se Opozita nuk e di ku ndodhet? Brenda familjes Teqja janë dy vëllezër, njëri “partizan”, tjetri “ballist”. Edurimi është socialist, por vëllai i tij, Dionisi është demokrat. Në periudhën e qeverisjes së Demokratëve, tenderin për plehrat e Sharrës e mbante Dionisi, po të ishte vrarë Arditi në atë kohë, vrasja do të ishte nga Demokratët. Erdhën socialistët dhe tenderin ia hoqën Dionist e ia dhanë Edurimit… Prapë kur të vijnë demokratët, shefi i “kompanisë vrasëse” do të jetë vëllai i Edurimit, Dionisi.

Ja kështu është ndërtuar kodi politik: Njëri partizan, tjetri ballist. Në “shehër” luftojnë me shpata, pastaj kthehen në të njëjtën familje e jetojnë butë- butë; fitimet i kanë prurë në shtëpi. Në çdo gjë ndodh kështu; a mos vallë keni shpresë për opozitarizëm!? Njerëzit e kanë nuhatur se është kështu, prandaj nuk dalin në shesh për asnjë revoltë.

Meqë pashë mbrëmë një debat televiziv, mu kujtua Jozefina, që të huajt e thërrasin Xhozepina. Eksponent e ashpër e Opozitës, ka qenë kryetare e Kuvendit. Kjo demaskoi një femër tjetër brenda Partisë Demokratike, Dumën. Para dy ditësh shkroi se “Grida bën teatër që sulmon në televizion Henri Çilin. Ata janë në një poçe”. Henri e ka marrë Gridën në punë, i jep rrogën dhe pastaj ia rrit rrogën kur Grida (motër) i bën në televizion si grifshë. Sa më grifshë në publik, aq më shumë shërbim për Henrin që është klient i qeverisë! Njëri partizan, tjetri ballist, por në fakt të dy “vëllezër’. Edhe kryetari i Rinisë së Opozitës është dhëndër i Partisë Socialiste në qeveri; gruaja e tij është bija e një deputeteje favorit në PS. Çdo mbrëmje kokën e kryetarit të Rinisë Demokratike e ledhaton një vjehërr (nënë) komuniste…

… Po ç’pata që tregova kaq shumë sekrete nga familja me “dy vëllezër”. Këto mbahen sekret, njësoj si në Luftë. Ndërsa tani sekretet kanë marrë dheun. WikiLeaks-i ynë tregon çfarë bëhet në Europë e në Amerikë, këtu- po e po. Në Europë shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, paska një mbesë, e cila doli se është anëtare e një bande trafikantësh droge shqiptaro- italiane. Njëra bën politikën e lartë evropiane, mbesa mbledh pasuri që vjen nga droga. Vetë BE këtë vit humbi 5 miliardë euro nëpër xhepa që nuk po gjenden. Mogherini, kur iu kap mbesa, paska thënë se “nuk flas me të atin e mbesës”, që është vëllai i Federicës.

Domethënë qysh prej fillimit janë ndarë rolet: Ti je ballisti e unë “nuk flas” me ty. Por eurot e drogës vijnë në familje.

Ja kështu vërtitet kodi ynë i Luftës, që nuk është veç yni, siç nuk ishte veç e jona Lufta e Dytë.

/Veritas.com.al/