(Komisionerja e BE Mariya Gabriel)

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur futje hundësh në fushatë, bisedën e komisioneres së BE, Mariya Gabriel me kreun e PD Lulzim Basha.

Reagimi i Ramës, vjen pasi më herët gjatës paradites, Komisonerja Gabriel zhvilloi një bisedë më Bashën ku u fokusuan dhe në fushën e Arsimit.

“Unë do të filloja duke thënë se arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është themeli për përmbushjen personale dhe qytetarinë aktive. Ndihmon të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në shoqëri dhe ekonomi dhe u jep atyre kompetenca, aftësi, njohuri të nevojshme për të lulëzuar në jetë.
Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës siguron edhe më shumë se kaq. Do të zvogëlojë ikjen jashtë vendit të trurit. Kjo do t’u japë bizneseve një fuqi punëtore të aftë dhe ekonomive kombëtare dhe rajonale një shans më të mirë për të qenë konkurrues. Tani, më shumë se kurrë arsimi duhet të vendoset lart në axhendën tonë politike. Kërkon vëmendje të veçantë, një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në Nivelin Evropian kombëtar. Ne duhet të ndërtojmë një sinergji të fortë midis kërkimit arsimor dhe Inovacionit.  Unë kërkoj punë për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe për t’i dhënë atij vrullin e ri në fusha të reja të portofolit tim, duke përfshirë arsimin, kërkimin dhe inovacionin. Sot do të doja të ndaja me ju se si synoj ta arrij këtë. ”, tha ajo.

Të gjithë këtë kreu i qeverisë nuk e ka pritur mirë duke thënë se komisionerët e BE nuk duhet që të harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën.

Sipas Ramës kjo është qartë ndërhyrje në fushatën elektorale në vend, dhe për këtë ai pret përgjigje publike dhe zyrtare nga Brukseli.

Reagimi i Ramës

Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!
Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!