Shqipëria, pjesëmarrëse në Konferencën e 26-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, e cila po mbahet në Glasgow të Skocisë, ka dorëzuar Planin e saj Kombëtar për Klimën.

Ky plan është i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor (WB).

Ai fokusohet në gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një proces afatgjatë përshtatjeje ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky plan e rendit Shqipërinë mes 30 shteteve që po ndërtojnë qëndrueshmërinë e tyre klimatike përmes një Plani Kombëtar të Përshtatjes (NAP).

 

NAP bëhet kështu dokumenti i parë zyrtar në nivel politikash që adreson nevojën për integrimin e ndryshimeve klimatike në të gjithë sektorët e prekur në Shqipëri.

Këtë lajm e ka njoftuar në Twitter, Sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Patricia Espinosa.

Dokumenti 100 faqësh është një kundërpërgjigje zyrtare ndaj ngjarjeve ekstreme të motit në vitet e fundit në Shqipëri.

NAP është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë ministror dhe nën funksionin drejtues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Grupi Punues Ndërministror për Ndryshimet Klimatike u mandatua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë viteve 2015-2016.

Procesi mori mbështetje nga GIZ, UNDP dhe Bashkimi Evropian.

Dobësitë e raportuara

Dobësitë kryesore të Shqipërisë mbeten sistemet hidrologjike.

Kjo, pasi ndryshimi i reshjeve ndikon në burimet ujore dhe disponueshmërinë në termat e sasisë dhe cilësisë.

Në bujqësi, ndikimet negative të ndryshimeve klimatike në rendimentet e të korrave janë bërë më të zakonshme.

Sa i takon energjisë, varësia energjetike e Shqipërisë nga hidrocentralet nënkupton ndikimet që kanë ndryshimet klimatike në këto sisteme hidrologjike.

Ndikimet kryesore vijnë edhe nga valët e të nxehtit, të cilat ndikojnë në shëndetin e qytetarëve.

Mes aspekteve që duhen përmirësuar, renditen edhe pabarazitë apo dobësitë sociale, të cilat vijnë nga proceset e pabarabarta të zhvillimit.

Në dokumentin zyrtar theksi vihet edhe te rreziqet apo fatkeqësitë që lidhen me klimën.

Rritja e incidencës së përmbytjeve, thatësirave dhe ngjarje të tjera ekstreme përkeqësojnë infrastrukturën, sektorët e prodhimit dhe mjetet e jetesës së njerëzve, veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara.

Një nga dëshmitë më të dukshme, cilësojnë autoritetet, është ndryshimi i shkaktuar në ekosisteme përgjatë lagunave, grykëderdhjeve bregdetare, apo në pellgjet e lumenjve.

Mes objektivave kryesore të NAP-it mbeten zvogëlimi i dëmeve nga përmbytjet dhe rritja e elasticitetit bujqësor ndaj tyre, edhe cilësia e ujit të pijshëm.

Afati kohor për arritjen e këtyre synimeve nga qeveria shqiptare është përcaktuar deri në vitin 2035.

Veprimet prioritare

Një nga sqarimet, apo shpjegimet e veprimeve prioritare të NAP-it nga ana e autoriteteve shqiptare, është funksionimi i këtyre mekanizmave si “një ombrellë”.

Sipas dokumentit, këto veprime nuk synojnë të mbulojnë të gjitha aktivitetet e nevojshme përshtatëse, por përqendrohen në masa më strategjike.

Këto veprime do të ndahen më pas në ato aktivitete, të cilat janë gjithëpërfshirëse dhe ato që mbeten drejtuese.

Nga veprimet e përgjithshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare do të përfshihen drejtimi i NAP-it, nismat e integrimit, financimi i klimës, sistemet e monitorimit apo nisma të tjera sa i takojnë komunikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve.

Të gjitha këto, në lidhje me përshtatjen e re të Shqipërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Mes veprime strategjike sektoriale, në linja më të ngushta, përfshihen sistemet e kullimit që do të bëjnë mbrojtjen nga përmbytjet, menaxhimi i burimeve ujore, zbatimi i NAP-it për sektorin e shëndetësisë dhe nismat e integruara për bregdetin (ICPC).

Pas një sezoni veror problematik sa u takon vatrave të zjarrit, në dokument nënvizohet edhe përmirësimi i gatishmërisë për mbrojtjen civile dhe reduktimi i rrezikut nga fatkeqësitë.

/Albanianpost.com