Donald Trump dhe rivalja e tij e re në garën për president, Kamala Harris, më në fund kanë arritur dhe dakordësinë e parë mes tyre dhe kjo për debatin presidencial.
Lajmi është konfirmuar nga rrjeti televiziv ABC i cili saktëson se dy kandidatët kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në datë 10 shtator për zhvilluar përballjen e tyre të parë në sytë e publikut.
Më herët, stafi elektoral i Trump kishte propozuar 3 datë për zhvillimin e këtij debati në shtator dhe vetëm pak orë më vonë erdhi dhe pranimi i kërkesës nga rivalja e tij.
Donald Trump mbajti mbrëmjen e kaluar një konferencë për shtyp më Mar al Lago, ku foli për shumë çështje të ndryshme, por që nuk harroi të sulmonte dhe demokraten Harris.
“Hebrenjtë dhe mbështetësit e Izraelit që do të votojnë për kandidaten demokrate për president të SHBA-së, Kamala Harris dhe mikun e saj të ri Tim Walz “duhet t’i nënshtrohen një testi truri. Të dy ata janë treguar shumë të këqij me Izraelin”, tha Trump.
Ish-presidenti përsëriti qëndrimin se nëse ai do të kishte qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë sulmi në Izrael nuk do të kishte ndodhur, teksa shtoi se bota është shumë pranë Luftës së Tretë.