Takimi i ‘Rithemelimit’ në Kurbin nuk ka qenë aspak i qetë pasi ka përfunduar në të shtëna me armë zjarri. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka patur konflikt mes nënkryetarit të PD së Rithemelimit, Kastriot Marku dhe anëtarit Van Rica, 53 vjeç për kandidatët e primareve të Sali Berishës. Në kërkim është shpallur Van Rica.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona që ishin të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje. Ende mbetet e paqartë për cilët kandidatë nisi konflikti.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë me të cilën dyshohet se ka qëlluar anëtari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.
Policia ka dhënë detajet e të shtënave me armë zjarri në Kurbin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim Van Rica, 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se: Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbledhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve Kastriot Marku, dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.
Në debat e sipër, shtetasi Van Rica ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e Van Ricës.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme”, njofton policia.