Në konferencën për media në Podgoricë, mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit në largim të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është komentuar situata në Kosovë dhe qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti.

Abazoviq ka thënë se as për Kosovën dhe as për Serbinë nuk është i mirë një konflikt politik me ndërkombëtarët.

Sipas kryeministrit malazez, Kosova dhe Serbia duhet të qëndrojnë në marrëveshjen për normalizimin e raporteve, e arritur sipas planit franko-gjerman, për të cilin palët janë pajtuar në fund të shkurtit në Brukselit.

“Unë mendoj që cdo konflikt, qoftë ai politik, me ndërkombëtarët, nuk është i mirë as për Kosovën, as për Serbinë, por as për rajonin. Mendoj është harxhu një energji e madhe, një kohë e madhe për deri te një propozim. Ai propozim ndoshta nuk është përfekt, por është i mirë. Dhe mendoj se do të ishte mirë me shku drejt firmosjes së asaj marrëveshje. Dhe, mendoj se ai kishte qenë një boost i mirë për krejt rajonin, që më në fund jemi duke rënë dakord për diçka, e jo që jemi gjithçka më larg një marrëveshjes”, ka thënë Abazoviq.