Nga Gabriela Baczynska, John Chalmers
BRUKSEL (Reuters) – Një mosmarrëveshje e gjatë midis Britanisë dhe Greqisë për thesaret e lashta ka hyrë në tensionet mbi Brexit pasi një kërkesë për kthimin e objekteve kulturore të vjedhura u shtua në draftin e një mandati negociues të Bashkimit Evropian.
Muzeu Britanik në Londër ka refuzuar të kthejë mermeret e Parthenonit, skulpturave 2.500-vjeçare që diplomati britanik Lord Elgin mori nga Athina në fillim të shekullit të 19-të kur Greqia ishte nën sundimin Otoman Turk.
Një draft i pozicionit të 27 vendeve të BE për negociatat me Britaninë për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, i cili u pa nga Reuters të martën, kërkon “kthimin ose zëvendësimin e objekteve kulturore të hequra në mënyrë të paligjshme në vendet e tyre të origjinës”.
Dokumenti nuk specifikonte ndonjë objekt kulturor.
Sidoqoftë, një diplomat i BE tha se linja u shtua me kërkesë të Greqisë, me mbështetje nga Italia.
Ministri i kulturës i Greqisë tha muajin e kaluar se Athina do të rritë fushatën e saj për kthimin e mermereve të Parthenonit nga Londra dhe pritet të fitojë më shumë mbështetje nga kolegët evropianë ndersa Brexit zvogëlon ndikimin e Britanisë.
Muzeu Britanik thotë se mermeret, të cilat janë afërsisht gjysma e një cope prej 160 metra që zbukuroi tempullin e Parthenonit të shekullit të pestë, u blenë nga Elgin nën një kontratë ligjore me perandorinë Osmane. Greqia thotë se ato janë vjedhur.
Një zëdhënëse e qeverisë britanike, duke komentuar draftin e dokumentit të BE, tha se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar mbi skulpturat mbetet se ato janë “përgjegjësi ligjore e Muzeut Britanik”.
“Kjo nuk është në diskutim si pjesë e negociatave tona tregtare”, tha zëdhënësi në një deklaratë.
Retorika mes Londrës dhe Brukselit për kushtet e marrëdhënies së tyre të ardhshme është rritur më tej këtë muaj përpara negociatave që do të fillojnë në fillim të marsit.
Një burim i BE, i cili nuk pranoi të identifikohej sepse diskutimet mbi mandatin e bisedimeve janë konfidenciale, tha se referenca për veprat e artit të vjedhura ishte përfshirë në një draft të hershëm të dokumentit javën e kaluar.
Burimi tha se referenca gjithashtu kishte mbështetje nga Qipro dhe Spanja dhe se, shqetësimet e Greqisë për mermerët janë vecmas vendeve të BE që ishin më gjerësisht të shqetësuara për tregtinë e paligjshme të objekteve të artit përmes shtëpive të ankandeve në Londër.
Veritas.com.al