Flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë për aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.

Në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur këtë të hëne ditë zie në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.

Për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe sot do të udhëtojë për në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.

Vetaksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” po udhëtonte nga Frankufurti drejt Prishtinës.

Të dielën rrugën për në Kroaci mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij.

Ai vizitoi të lënduarit të cilët po trajtoheshin në spitalin në Slavonski Brod.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hënë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e që njëri nga ta është në gjendje më stabile.

Dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin u ndezën mbrëmë pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Faton Peci, Krasniqi, deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve ndezën qirinjtë.Qirinj ndezën edhe dhjetëra qytetarë të tjerë të cilët iu përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për homazhe për bashkatdhetarët që humbën jetën mëngjesin e së dielës/ ATSH/.