Flamurin kuqezi shqiptar, që Albin Kurti e kishte mbajtur në takime me ambasadorë të shteteve të Evropës, e mbarti edhe në mbledhjen e parë të Kuvendit, duke sfiduar simbolin e Republikës së Kosovës që pretendon se do ta qeverisë.

Ndërkohë, Kuri mbajti për vete edhe postin e kryetarit të Kuvendit, duke ia deleguar ‘skifterit’ të Partisë së tij Glauk Konjufca.

Njëkohësisht janë betuar deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, një betim i cili ka qenë pikë e dytë e rendit të ditës, ku fillimisht është bërë verifikimi i mandateve të këtyre deputetëve.

Gjithsej kanë qenë të pranishëm 111 deputetë në sallë, ndërkohë që 10 deputetë mungonin në seancë, deputetë që mund ta bëjnë betimin në seancën e radhës.

Glauk Konjufca, i propozuar nga Albin Kurti është zgjedhur kryetar parlamenti me 75 vota pro, 27 kundër dhe 6 abstenim.

Në seancë mungojnë Ramush Haradinaj, Abelard Tahiri, Uran Ismajli, Pal Lekaj dhe Enver Hogjaj. U vu re se në seancën në fjalë, LVV mbante me vete edhe flamurin kombëtar.

Po kështu janë miratuar me 104 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim, tre nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, propozuar nga LVV, LDK dhe PDK. Përkatësisht Arberie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK dhe Memli Krasniqi nga PDK.

Deri në mbledhjen e parë të Kuvendit koalicioni LVV-PDK erdhi pa marrëveshje për koalicion qeverisës, për shkak të mos- dakordësisë në disa pika e sidomos për presidentin e ri të Republikës.

Veritas.com.al/